Arbëri

Rezoluta për dialogun, Kurti: Shpejt u shtrinë pas ushtrisë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kritikuar deputetët e pushtetit në lidhje me mbajtjen e seancës së djeshme urgjente në lidhje me rezolutën e dialogut me Serbinë.

Ai thotë se ende pa u bërë gjashtë orë nga miratimi i tri ligjeve të cilat e bënë Kosovën me Ministri të Mbrojtjes dhe me FSK të avansuar drejt ushtrisë, “u mblodhën nënshkrimet për seancë urgjente për normalizim me Serbinë”.

“Punësimi e drejtësia, arsimi e shëndetësia, buxheti i ri për FSK-në, të gjitha këto presin, ama dialogu me Serbinë është çështje urgjente, thanë mbrëmë! Kush donte ta zvogëlonte entuziazmin popullor për ushtrinë në Kosovë? Paj, askush si Serbia. Ishte çështje urgjente kjo. Andaj shpejt u shtrinë”, shkroi ai në Facebook.

Koalicioni qeverisës, bashkë me deputetët e PSD-së, dje votuan rezolutën e hartuar nga kjo e fundit, rezolutë e cila formon një ekip dialogues të përbërë nga partitë e mëdha parlamentare, pa opozitën, LDK-në e VV-në.