Arbëri

Veseli e Haradinaj përkujtojnë Mujë Krasniqin

Nën patronatin e Qeverisë së Kosovës dhe shoqatave të dala nga lufta është mbajtur sot akademi përkujtimore në 20-vjetorin e rënies heroike të komandant Mujë Krasniqit “Kapuqi” dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me këtë rast ka nisur fjalimin me urimin për Ushtrinë e Kosovës, meqë sipas tij, edhe data 14 dhjetori nuk ishte caktuar rastësisht, por në ditën e përvjetorit të rënies së Mujë Krasniqi.

“Ne sot, në këtë ditë, qëndrojmë ballëhapur para kujtimit të tyre. Ne sot ndjejmë krenari të dyfishtë. Jemi krenarë që ishim bashkëluftëtarë të tyre. Jemi krenarë që amanetin e tyre sot e plotësuam duke themeluar Ushtrinë e Kosovës. Duke e bërë më të fortë shtetin e Kosovës dhe më të sigurt të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit tha se sot, në këtë ditë historike, nuk mungojnë vetëm dëshmorët, por edhe luftëtarët e gjallë, që duhej të ishin në vendin e nderit.

Ai tha se sot mungon njëri prej më meritorëve për këtë ditë: Komandanti i UÇK-së, i TMK-së dhe FSK-së, Sylejman Selimi, i cili, sipas tij, hyn në radhët e atyre komandantëve të cilët kthehen të fundit nga betejat. Veseli tha se Sylejman Selimi do do të kthehet fitimtar, ngase Kosova dhe Ushtria e saj kanë nevojë për të.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se është mjaft e madhe humbja e Mujë Krasnqit, i cili ishte luftëtar i hershëm.

“Ku do që ishte Muja, njerëzit u bënin luftëtarë... Kemi pasur edhe shumë beteja me humbjen e ushtarëve, por kjo me Mujë Krasniqin ka qenë humbja më e madhja”, theksoi Haradinaj. Ai shtoi se edhe pas kësaj humbje nuk u zbeh besimi dhe bindja për të drejtën për liri.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta, Xhavit Jashari ka thënë se rënia e Mujë Krasniqit dhe 40 bashkëluftëtarët e tij është e veçantë.