Arbëri

Kurti: Na duhen prokurorë që nuk i frikësohen Haradinajt e Thaçit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka thënë se këtë vit java kundër korrupsionit po shënohet në një vit me përplot korrupsion si asnjë herë tjetër.

Kurti tutje vlerëson se në vend që të ketë gjykata që akuzojnë kriminelët e paqes, shfaqet Gjykata Speciale që do të merret me krimet e luftës.

“Në vend se të kemi gjykata normale që akuzojnë, gjykojnë e dënojnë kriminelët e paqes, na shfaqet gjykata speciale që do të merret me 'krimet' e luftës. Sipas Raportit “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës” publikuar nga PAX, Holandë: “Keqinformimi rreth Gjykatës Speciale të Kosovës është i përhapur, meqë (për shembull) 35.4% të shqiptarëve dhe 18.9% të serbëve, që e konsiderojnë veten të mirinformuar rreth Gjykatës, gabimisht besojnë se ajo do t’i ndjekë penalisht krimet që lidhen me korrupsionin dhe kapjen e shtetit”, ka shkruar Kurti përmes rrjetit social Facebook.

Duke pasur për referencë vendimin e fundit të Qeverisë Haradinaj, Kurti ka thënë se nuk do të rritet luftimi i krimit pse u rriten pagat prokurorëve.

“Duhet të rritet numri i prokurorëve të specializuar për krimin e organizuar e korrupsionin e lartë dhe përgatitja tyre, të rishikohet legjislacioni dhe të ristrukturohet prokuroria me prurje të reja edhe jashtë trajektores së parashikueshme që mbizotëron tani, si dhe të riorganizohet provimi i jurisprudencës për luftimin e kapjes së shtetit dhe krimit financiar. E kjo nënkupton fillimisht një a dy prokurorë që nuk i frikësohen kryeministrit e presidentit, zullumqarëve e mujsharëve të tjerë, por përkundrazi - ndjellin frikë tek ata”, ka përfunduar i pari i Vetëvendosjes.