Pritet rritje e fondit për mbështetje për të akuzuarit nga Gjykata Speciale

Kushtrim Kadriu 12 December 2018 19:04

Fondi 1.5 milion euro i ndarë nga Qeveria e Kosovës për mbrojtje juridike dhe mbështetje financiare për të akuzuarit e mundshëm nga Gjykata Speciale, mund edhe të rritet, raporton KTV.

Këtë e ka thënë Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Në kuadër të kësaj ministrie është krijuar edhe zyra ndërlidhëse për koordinimin dhe menaxhimin e këtyre mjeteve financiare. Shef i kësaj zyreje, është emëruar Driton Lajqi. Shoqëria civile kërkon transparencë për këtë proces.

1 milionë e 500 mijë euro është fondi i miratuar nga qeveria për përkrahje juridike dhe financiare për të akuzuarit potencialë nga Gjykata Speciale. Por, kjo shumë mund të rritet.

Kuvendi, në vitin 2015, ka miratuar ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare për të akuzuarit e mundshëm nga Specialja.

Në bazë të këtij ligji, shteti i Kosovës do t’i paguajë avokatët e të akuzuarve, biletat e udhëtimit dhe akomodimin për familjarët që vizitojnë të afërmit e tyre gjatë procesit gjyqësor në Hagë.

Por, mënyra e financimit do të rregullohet pas miratimit të akteve nënligjore të prezantuara nga Ministria e Drejtësisë.

Ministri Abelard Tahiri, thotë se tashmë është krijuar zyra ndërlidhëse që do të merret me koordinimin e obligimeve që dalin nga ligji për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare.

Në krye të kësaj zyreje është emëruar Driton Lajqi.

Shoqëria civile kërkon transparencë të plotë rreth përkrahjes financiare për të akuzuarit potencialë, pasi do të paguhen me para të taksapaguesve.

Fondi për mbrojtje juridike dhe mbështetje financiare për të akuzuarit e mundshëm nga Gjykata Speciale është miratuar më 2016.

Të martën, kryeministri Haradinaj tha se nuk është bërë nami që ish-luftëtarët e UÇK-së po ftohen nga Gjykata Speciale. Por, 24 orë më pas, kryeministri deklaroi se qeveria do të ofrojë mbështetje juridike për të akuzuarit nga kjo gjykatë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme