Arbëri

Komisioni, edhe pa kryetarin Simiq, dërgon disa projektligje në Kuvend

Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, janë mbledhur për të diskutuar disa projektligje pa vullnetin e kryetarit të Komisionit, Igor Simiq.

Nënkryetari i komisionit, Xhelal Sveçla, ka thënë se Simiqi nuk ka shprehur gatishmëri që të thërrasë mbledhjen.

“Ne duhet të marrim një vendim në pajtim me nenin 62 paragrafi 2 e nenin 64 në pajtim me rregulloren e kuvendit. Komisioni me qëllim të përshpejtimit të miratimit të projektligjeve nxori këtë vendim. Me mos praninë e Igor Simiqit, seanca e komisionit kryesohet nga nënkryetari i parë Xhelal Sveçla. Miratohen pa vonesë projektligjet në vijim”, ka thënë Sveçla, raporton TV Arta.

Komisioni me vota unanime votoi PËR, pas shqyrtimit të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për kinematografinë, projektligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejta të Përafërta, atë për Bibliotekat, projektligjit për Tatimin e të ardhurave personale dhe projektligjit për Tatimin në të ardhura të korporatave.

Komisioni ka nxjerrë deklaratë për rastin e ndaljes së deputetit Sllobodan Petroviq nga policia serbe në Merdarë.