Hoti: Konsensusi për dialogun nuk bëhet si po mendon PAN-i, duke marrë me vete PSD-në e Alternativën Foto: Koha

Hoti: Konsensusi për dialogun nuk bëhet si po mendon PAN-i, duke marrë me vete PSD-në e Alternativën

Fortuna Shkodra Fortuna Shkodra 08 December 2018 13:00

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, dialogun Kosovë-Serbi e ka cilësuar si një ndër proceset më të rëndësishme nëpër të cilin po kalon Kosova që nga shpallja e pavarësisë, por, për këtë thotë se duhet konsensus i gjerë.

E përfshirjen e PSD-së dhe Alternativës, Hoti nuk e sheh si veprim të duhur.

“Nuk bëhet në formën si po tenton ta bëjë koalicioni PAN, duke marrë me vete PSD-në e Alternativën”, thotë ai.

Në “Intervistën e Javës” në Koha.net, Hoti ka thënë se Qeveria Haradinaj duhet ta kuptojë vetë se nuk ka përmbushur zotimet e dhëna e se pakënaqësia qytetare për këtë është ekstreme. Sipas tij, Kosova është në krizë institucionale.

“Bazuar në ato që ka bërë dhe ato që nuk ka bërë, Qeveria Haradinaj nuk e meriton as edhe një ditë më shumë të qeverisë me vendin tonë”, ka thënë Hoti.

Thotë se dhuna e opozitës në vitin 2016, pjesë e së cilës ishte Vetëvendosje, AAK e Nisma, ia humbi Kosovës hapin për liberalizim vizash.

Kur ka folur për projektbuxhetin e vitit 2019, Hoti ka thënë se “për fat të keq qasja diskriminuese dhe lokaliste e qeverisë aktuale është e vërtetë bazuar në shifra”.

“Kjo është edhe një dëshmi se qeverisja aktuale punon pa strategji, por me veprime ad hock dhe logjikën elektorale dhe sot për nesër”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se LDK-ja po punon që opozita të ndërtojë një strategji funksionale, “për ta rrëzuar këtë Qeveri, pa i dëmtuar proceset vitale”.

Koha.net: Z.Hoti, do të donim të nisnim këtë bisedë me zhvillimet e fundit në politikë. Dy parti opozitare (PSD dhe Alternativa) iu bashkuan ekipit negociator në bisedime me Serbinë. Si e komentoni ju këtë meqë jeni edhe ju në opozitë, e kur dihet se fillimisht këto dy parti refuzonin t’i bashkoheshin pozitës?

Avdullah Hoti: Dialogu është procesi më i rëndësishëm nëpër të cilin po kalon Kosova nga shpallja e pavarësisë. Në këtë proces duhet konsensus i gjerë. Kjo nuk bëhet në formën si po tenton ta bëjë koalicioni PAN, duke marrë me vete edhe PSD-në dhe Alternativën.

Koha.net: Në anën tjetër, ka dështuar përpjekja e opozitës për ta rrëzuar qeverinë me rezolutë, lidhur me dështimet e koalicionit qeverisës për liberalizimin e vizave. Pse ndodhi kjo?

Avdullah Hoti: Koalicioni PAN duhet të pranojë se ka dështuar të përmbushë zotimet e dhëna para qytetarëve, të cilat i ka reflektuar në programin qeverisës. Këta duhet të vetëdijesohen se qytetarët janë duke i vlerësuar të gjitha veprimet e tyre, dhe sot pakënaqësia qytetare është ekstreme.

Dhuna e opozitës ia humbi Kosovës hapin për viza më 2016

Koha.net: Flasim pak më detajisht për dështimin për liberalizim. Shumë individë po fajësojnë BE-në. Është me të vërtetë tradhti nga BE-ja apo Kosova s'ka punuar mjaft në atë drejtim?

Avdullah Hoti: Kosova e ka humbur hapin në liberalizimin e vizave në vitin 2016 për shkak të dhunës së opozitës së atëhershme, që ka pamundësuar kryerjen e obligimeve të Kosovës në këtë aspekt. Kryeministri aktual, që ka qenë pjesë e opozitës së atëhershme, duhet të marrë përgjegjësinë për këtë. Tash situata ka ndryshuar edhe në BE për shkak se zgjedhjet për Parlamentin Evropian janë shumë afër.

Koha.net: Së fundmi keni ftuar tryezë politike për ta tejkaluar situatën në të cilën ndodhet vendi. A prisni dakordim mes partive politike, meqë dihet se s’po mund të gjendet një konsensus?

Avdullah Hoti: Kosova është në krizë institucionale. Sa më gjatë që vazhdon kjo gjendje, është më keq për qytetarët. Duhet të vetëdijesohen të gjitha partitë politike për nevojën e një dakordimi për të tejkaluar krizën. Qeveria nuk ka vota për të qeverisur normalisht, me legjitimitet dhe në mënyrë demokratike. Prandaj, duhet dakordim për agjendën e ndryshimeve që duhet të ndodhin për të nxjerrë vendin nga kriza. Ne kemi propozuar tryezën e partive politike që do të mundësonte dakordimin për një agjendë të veprimeve që duhet të ndodhin në mënyrë që Kosova të ketë qeveri legjitime, por në të njëjtën kohë të mos dëmtohen proceset e rëndësisë nacionale nëpër të cilat po kalon Kosova.

Hoti do rrëzimin e Qeverisë Haradinaj pa dëmtuar proceset vitale të shtetit

Koha.net: Ka kritika të shumta nga opozita për qeverisjen aktuale. Si po funksionon opozita, a keni bashkëpunim me të gjitha partitë? Në çfarë niveli konsideroni bashkëpunimin me LVV-në e në çfarë atë me PSD-në?

Avdullah Hoti: Jemi në kontakte të vazhdueshme me partitë opozitare. Ta ndërtojmë një strategji funksionale opozitare, për ta rrëzuar këtë Qeveri, pa i dëmtuar proceset vitale, është qasje jonë e pandalshme. Po mundohemi të jemi pragmatik dhe të punojmë në interes shtetit të Kosovës, siç kemi bërë gjithmonë. Jemi në koordinim të shumë proceseve opozitare me VV. Me një bashkëpunim të shtuar opozitar, jam i bindur se do të kemi sukses që ta ndalim degradimin institucional që është ka ndodhur gjatë këtij viti.

Koha.net: Po sa i përket Alternativës? Si u bë që dolën nga grupi juaj parlamentar? A ka vend për hatërmbetje?

Avdullah Hoti: Duhet t’i tejkalojmë hatërmbetjet në këto rrethana. Që Kosova të mos mbetet aty ku e ka katandis kjo Qeveri ne të gjithë, përfshirë Alternativën, të bashkëpunojmë për një kauzë që është shumë më e rëndësishme sesa hatërmbetjet tona, të cilat dua të besoj se do t’i tejkalojmë.

Buxhet me logjikën elektorale e “sot për nesër”

Koha.net: Flasim pak për Qeverinë. Keni kritikuar ashpër Buxhetin e vitit 2019. Thoni se komunat që udhëhiqen nga LDK-ja po diskriminohen. A mos kështu, po “blihen” votat nga pushteti për zgjedhjet e pritshme e të parakohshme parlamentare?

Avdullah Hoti: Për fat të keq kjo qasje diskriminuese dhe lokaliste e qeverisë aktuale është e vërtetë bazuar në shifra. Për shembull, nga 62 milionë euro që Ministria e Infrastrukturës investon nëpër komuna, 32% shkojnë në komunat që udhëhiqen nga AAK, në të cilat komuna jetojnë vetëm 18% e popullsisë të Kosovës. Komunat e udhëhequra nga LDK përbëjnë 28% të popullsisë, por marrin vetëm 19% të buxhetit që Ministria e Infrastrukturës investon në komuna. Në komunat e udhëhequra nga PDK, shpërndarja është e barabartë, aty jetojnë 13% e popullsisë, dhe ato gjithashtu marrin 13% të buxhetit. Ndërkaq, në komunat që udhëhiqen nga VV-ja, vetëm 3% e buxhetit. Kur vjen puna tek komunat që udhëhiqen nga PSD-ja, ku jetojnë 13% e popullsisë, ato marrin 22% të buxhetit. E kam parasysh se këtu bëjmë fjalë për Kryeqytetin, por prapë diferenca është tepër e madhe, gati dyfish. Pra, buxheti diskriminon komunat e udhëhequra nga LDK dhe VV, dhe favorizon komunat e partive në pushtet. Të gjitha këto janë të dhëna të analizuara nga GAP. Kjo është edhe një dëshmi se qeverisja aktuale punon pa strategji, por me veprime ad hock dhe logjikën elektorale dhe sot për nesër.

Koha.net: Në përgjithësi si ju duket qeverisja Haradinaj? Keni pasur një përpjekje mes katër forcave politike me akronimin VLAN para disa vitesh që ta bëni kryeministër Haradinajn – a i ka përmbushur sot pritjet që i keni pasur aso kohe për të?

Avdullah Hoti: Nuk mund të paragjykoj se si do të ishte Haradinaj në atë kohë nga një marrëveshje që nuk u jetësua dhe cilat do të ishin rrethanat qeverisëse para disa vitesh. Por, sot zhgënjimi është aq i madh nga kjo qeverisje, sa që e bën pyetjen tuaj të duket akuzë për këdo që ka dashur apo dëshiron të bashkëpunojë me këtë mendësi qeverisëse me të cilën po ballafaqohemi sot. Bazuar në ato që ka bërë dhe ato që nuk ka bërë, Qeveria Haradinaj nuk e meriton as edhe një ditë më shumë të qeverisë me vendin tonë.

Dështimi eklipson dështimin e kësaj Qeverie, thotë Hoti

Koha.net: Në pika të shkurtra ku shihni se ka punuar drejt Qeveria Haradinaj, e ku ka dështuar?

Avdullah Hoti: Për këdo që nesër do të vijë në pushtet, riparimi i dështimeve e gabimeve të tashme do të kërkojë shumë mund, energji e dije. Të gjitha dështimet e kësaj Qeverie në të parë duket se nuk zgjasin shumë. Por kjo në një mënyrë është mashtrim optik, sepse ato vetëm eklipsohen nga dështimet e radhës, dhe kjo mendësi qeverisëse vazhdon ngeshëm. E njëjta ndodhë edhe me skandalet. Kemi ministra me aktakuzë në vend se ata të largohen, kemi humbje të vendeve të punës në vend se ato të hapen, kemi revokim njohjesh në vend se ato të shtohen, zhgënjim për aleatët e dëshmuar në vend se ata të shtohen, kidnapim të qytetarëve të huaj në vend që të ofrojmë strehim, ikje nga dialogu në vend se t’i dilet përballë Serbisë, rritje pagash për qeveritarë në vend se ato të rriten për qytetarë. Këto do t’i ndalim.

Koha.net: Si e keni parë taksën prej 100 për qind për mallra nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina? A është e drejtë, dhe a besoni se Kosova ka fuqi ta mbajë deri në arritjen e qëllimeve të veta politike?

Avdullah Hoti: Një Qeveri me efikasitet në ekonomi dhe parimësi në demokraci, do të mund ta shtynte gjatë këtë sanksion, për ta dëmtuar Serbinë e për ta bërë që të mendojë dy herë, për atë çfarë bënë në raport me Kosovën. Por, kështu si është gjendja gjërat mund të zhvillohen ndryshe. Parimisht për aq sa do ta dëmtojë Serbinë kjo masë, ne si LDK nuk do ta kundërshtojmë, të prirë nga qasja institucionale që kemi. Por, do ta monitorojmë gjendjen vazhdimisht, për të parë mos po na kthehet krejt kjo si bumerang, sidomos në raport me BE-në dhe në raport me cilësinë e jetës së qytetarit tonë.

Lista Serbe kurrë s’ka pas mundësi veprimi si në këtë Qeveri

Koha.net: Dalim pak te zhvillimet në veri. Ndodhi dorëheqja e katër kryetarëve serbë të komunave atje. Si po i sheh LDK-ja këto zhvillime, a mendoni se kjo mund të sjellë trazira në Kosovë?

Avdullah Hoti: Lista Serbe nuk ka ndryshuar në qasjen e saj. E tillë ka qenë edhe më parë. Por ajo asnjëherë më parë nuk ka pasur mundësi e hapësirë për të vepruar sikur në këtë Qeveri. Kjo mundësi i është dhënë Listës Serbe qysh me rastin e konstituimit të kësaj Qeverie. Dorëheqjet e katër zyrtarëve serbë janë kundërgoditje që është dashur të pritet si rrjedhojë e ngjarjeve. Prandaj Qeveria duhet të ketë menduar si do të ballafaqohet me këtë kundërgoditje.

Koha.net: A besoni në bashkim të Mitrovicës, ashtu siç ka propozuar kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri? Iniciativa pritet të dërgohet në Qeveri e më pas në Kuvend. Do të përkrahet nga deputetët?

Avdullah Hoti: Duhet të jemi seriozë dhe të kujdesshëm në veprimet që bëjmë. Kushtetuta e Kosovës dhe Plani i Ahtisarit na kanë mundësuar partneritetin me miqtë ndërkombëtarë dhe shpalljen e shtetit tonë të pavarur. Nuk duhet të minojmë këtë arritje të madhe, që është historike për qytetarët e Kosovës dhe popullin shqiptar.

Koha.net: Shprehen pakënaqësi të shumta me Qeverinë aktuale qendrore. Ju me ngulm kërkoni zgjedhje, por, sa mendoni se opozita është e gatshme për zgjedhje të reja?

Avdullah Hoti: LDK është e gatshme për zgjedhje dhe punojmë pandalshëm që ato të mbahen, sa më parë aq më mirë. Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë opozitare që kemi, aq sa edhe jemi të vetëdijshëm se, duke dashur ta rrëzojmë këtë Qeveri nuk duam të dëmtojmë asnjë segment të shtetit. Kjo na dallon nga të tjerët. Por nuk do të lejojmë që korrektësia jonë të ja zgjatë jetën kësaj Qeverie. Ajo nuk e meriton këtë konsideratë, sepse thjeshtë ajo nuk ka konsideratë as për shtetin, e as për qytetarin. Prandaj ne nuk do të ndalemi, deri sa ta ndalim këtë qeverisje.

Përafrimi i LDK-së me VV-në ka një qëllim

Koha.net: Kemi parë një përafrim në të bërit opozitë me Lëvizjen Vetëvendosje. Në rast të zgjedhjeve të reja, cili do të ishte bashkëpunimi me këtë subjekt? A mund të shkohet me një listë dhe me një kandidat për kryeministër, dhe nëse po, a jeni gati ta mbështesni kandidatin e VV-së në këtë rast, apo kërkoni mbështetjen e tyre për kandidatin e LDK-së?

Avdullah Hoti: Është e vërtetë se kemi përafrim me VV për aq sa kemi qëllim që ta ndalim një të keqe në rritje dhe ky qëllim është i madh, serioz dhe i koordinuar gjithnjë e më shumë. Përndryshe, pyetja e juaj se si më tutje pasi ta rrëzojmë këtë Qeveri është e hershme. Do të zhvillohen edhe shumë procese, do të ndryshojnë edhe shumë rrethana, e do të ridimenzionohen edhe shumë raporte, dhe vetëm atëherë e do të mund të marrim vendime meritore, gjithmonë në përputhje me interesat e shtetit të Kosovës dhe duke ruajtur frymën dhe parimet qeverisëse që promovon LDK-ja si parti e qendrës së djathtë dhe parti anëtare e Parisë Popullore Evropian. Ne jemi partia më e madhe në Kosovë. Ne do të punojmë që të ndërtojmë koalicione sa më të gjera për të bërë ndryshimet e nevojshme në Kosovë. Por, ne do ju prijmë vetë proceseve të rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi jonë.

Koha.net: Si i ka punët Lidhja Demokratike e Kosovës aktualisht? Disa sondazhe të pavarura ju nxjerrin partinë e parë. A besoni se është kështu?

Avdullah Hoti: Është evidente se jemi partia më e madhe në Kosovë. Jemi parti me përvojën më të gjatë, por kjo nuk na bën të ngazëllehemi. Përkundrazi, kjo na shton përgjegjësinë opozitare, sidomos përgjegjësinë para qytetarëve dhe të ardhmes së tyre. Jemi të vetëdijshëm se e kemi barrën kryesore që ta nxjerrim vendin nga kriza, jo vetëm institucionale, ku kemi rënë. LDK nuk ngutet, por ju garantojmë se nuk do të vonohemi për ta sjell qytetarin para kutive të votimit me qëllim që qytetari të vendosur se kush do ta bëjë ndryshimin urgjent dhe të domosdoshëm në Kosovë. Kjo është mundësi e shenjtë demokratike, prej të cilës pushtetarët e sotëm e kanë përjashtuar qytetarin, duke mos pasur një shumicë të domosdoshme, për rrjedhojë duke qeverisur vendin me pakicë, pa legjitimitet demokratik.

Koha.net: Zgjedhjet e brendshme për kryetar të partisë pritet të mbahen në muajin maj të vitit të ardhshëm. Si mendoni se do të shkojë ky proces? A do të garoni ju personalisht, dhe a pritet garë e ashpër?

Avdullah Hoti: Aktualisht përbrenda partisë kemi një situatë rikonsolidimi në rritje, kemi një unitet rreth qëllimeve që i kemi përpara, por edhe pajtim se si duhet vepruar në akordancë me pritshmëritë e qytetarëve duke qenë partia më e madhe. Për më shumë, krejt kjo është e mbështjellë edhe me një entuziazëm në rritje, që determinohet nga dëshira për t’u përballur dhe ndalur të keqen. Kjo ndjesi kolegiale përbrenda partisë, është e gërshetuar edhe me vizionin e qartë politik se vetëm ne jemi ata që mund të qojmë përpara këtë mision. Konsideroj se të gjitha këto rrethana janë favorizuese dhe janë një bazë e mirë mbi të cilën do ta ndërtojmë një proces të mirëfilltë demokratik të zgjedhjeve partiake. Tradicionalisht, për të parin e LDK-së ka pasur standarde të larta profesionale, akademike dhe të përvojës politike. Sa më përket mua, unë do të vazhdoj të jem aty ku do ta kërkojnë strukturat e LDK-së dhe ku prania ime është më e nevojshme.

Koha.net: Ka disa figura që kanë shprehur hapur ambiciet për të marrë drejtimin e partisë. Sinqerisht, a rrezikon LDK-ja edhe një çarje, pas asaj që njihet si “Kuvendi i karrigeve”?

Avdullah Hoti: Duke qenë partia më e madhe në vend, nuk na befasojnë aludimet, paragjykimet, besa edhe dezinformimet se do të kemi përçarje gjatë procesit zgjedhor. Duket se sa më shumë që do t’i afrohemi këtij procesi, kjo qasje dashakeqe ndaj nesh do të stërkeqet. Në vitin që po hyjmë, përgjegjësia jonë për unitet partiak, do të determinohet nga tri rrethana. E para, nga obligimi që kemi para anëtarësisë dhe të kaluarës sonë si parti që në rrethana kruciale, me idetë dhe vizionin ta shtyjmë Kosovën para, më shumë se cila do parti tjetër, drejtë zhvillimit, konsolidimit të shtetësisë dhe demokratizmit të mëtejmë. E dyta, bazuar në përgjegjësinë institucionale që kemi si parti për ta mbrojtur Kosovën që mos të rrëshqas nga gjeopolitika evro-atlantike, të cilën e kemi ngjizur ne, në krye me Presidentin Rugova. Dhe e treta, për ta nxjerrë Kosovën nga kriza institucionale, me alternativë institucionale, të cilën si mendësi politike e demokratike, askush nuk di ta ofrojë më mirë se ne. Unitetin e kemi obligim para qytetarit të Kosovës, por edhe amanet para atyre aktivistëve të LDK-së të cilët duke qenë bashkë në ideale, janë sakrifikuar pa kursyer as edhe jetën, për të mirën e këtij vendi.

Për Hotin, Ahmeti duket se s’ka përvojë ta menaxhojë edhe partinë edhe Komunën

Koha.net: Për fund, të flasim pak për Komunën e Prishtinës. Në zgjedhjet e fundit lokale, kandidati juaj, z. Arban Abrashi, e çoi kryetarin aktual, z. Shpend Ahmeti, në balotazh. Pati një diferencë të vogël votash në favor të Ahmetit, ndërsa Abrashi është ankuar në Gjykatën Kushtetuese për keqpërdorim votash gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve, balotazhit. A ka diçka të re nga Gjykata Kushtetuese për këtë rast?

Avdullah Hoti: Nuk kam ndonjë informatë. Gjykata Kushtetuese ende nuk ka vendosur.

Koha.net: Si po udhëhiqet Prishtina nga Shpend Ahmeti, sidomos në mandatin e tij të dytë?

Avdullah Hoti: Kryetari i Komunës së Prishtinës tash është i angazhuar edhe si kryetar partie, gjë që gjithnjë e më shumë, sidomos muajve të fundit, po ja merr një pjesë të mirë të energjisë për ta udhëhequr Prishtinën. Kjo është rrethanë e re për të dhe partinë e tij, të cilën si duket në këtë format të dyzuar, nuk e ka përvojën ta menaxhojë. Partia të cilës i takonte nuk e mbështet më në Komunë, përkundrazi. Detyrimisht edhe kjo e devalvon angazhimin dhe efikasitetin e punës së tij. Sikur të mos i kishim këto turbulenca dhe dështime tek pushteti qendror, mungesa e punës së mirë në Komunën e Prishtinës, do të dukej më sheshit dhe kuptohej më qartë nga të gjithë qytetarët e Prishtinës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme