Arbëri

Ambasada gjermane mbështet MMPH-në në ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me sekretarin Arben Çitaku, dhe këshilltarët politikë, sot është takuar me sekretaren e parë të Ambasadës Gjermane në Kosovë, Anja Becky, përfaqësuesin e Bankës Gjermane për Zhvillim për Kosovë dhe Maqedoni (KfW), Rene Eschemann dhe koordinatorin e sektorit të infrastrukturës komunale (KfW), Premtim Islami.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se gjatë këtij takimi është diskutuar për projektin për ndërtimin e kolektorit në Prishtinë dhe projektet për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Prizren, Pejë dhe Gjakovë.

Me këtë rast Matoshi shprehu gatishmërinë e MMPH-së për këto projekte që kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave të zeza.

“Ka ardhur një moment që tashmë duhet të merremi me ambientin dhe është e papërshkrueshme se çfarë ndikimi pozitiv ka përfundimi i projekteve të impianteve të ujërave të zeza në tri qytete të mëdha të Kosovës si në Prizren, Pejë dhe Gjakovë, sepse aktualisht trajtohen vetëm 5 për qind e ujërave të zeza në Kosovë”, deklaroi Matoshi.

I pari i MMPH-së, Matoshi kërkoi ndërtimin sa më të shpejtë edhe të kolektorit për grumbullimin e ujërave të zeza në Prishtinë.

“Kur e kam marrë pozitën e ministrin, ka ekzistuar një marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Francës për ndërtimin e një impianti në Prishtinë. Po ashtu edhe në Kuvend ekziston një marrëveshje e tillë, andaj ky impiant nuk ka vlerë nëse nuk arrijmë të bëjmë edhe kolektorët për grumbullimin e ujërave të zeza. Nuk duhet ta shtyjmë këtë projekt vit pas viti, por duhet të bëjmë punë konkrete”, deklaroi Matoshi.

Matoshi tha se duhet të angazhohemi edhe për ndërtimin e impianteve tjera në qytetet e Kosovës që e kanë të pazgjidhur problemin me ujëra të zeza.

Matoshi falënderoi shteti gjerman për mbështetje në projektet që kanë të bëjnë me fushën e mjedisit.

Ndërsa sekretarja e parë e Ambasadës Gjermane në Kosovë, Anja Becky dhe përfaqësuesit e tjerë të KfW-së, gjatë këtij takimi ofruan mbështetje për realizimin e projekteve që kanë të bëjnë më trajtimin e ujërave të zeza.

Po ashtu gjatë këtij takimi, ministri Matoshi dhe përfaqësuesit e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), ranë dakord të kenë takime në baza mujore për projektet që kanë të bëjnë me mjedisin.