Arbëri

Prokuroria e Shtetit do të hetojë manipulimet në ndërmarrjen “Ramiz Sadiku”

Prokuroria e Shtetit ka thënë se do të hetojë listat e punëtorëve të ndërmarrjes “Ramiz Sadiku” për shkak të dyshimeve se janë manipuluar.

Kështu ka thënë PSH-ja pas një takimi që kanë zhvilluar me ish-punëtorët e kësaj ndërmarrjeje të cilët protestuan rreth orës 11:00 të ditës së sotme para objektit të Prokurorit të Shtetit në Prishtinë.

Ish-punëtorët, bashkë me përfaqësuesin e tyre Idriz Zhinipotoku, kanë shprehur shqetësimin e tyre për shkak të mos pagesës prej 20% nga shitja e aseteve të kësaj ndërmarrjeje.

Përfaqësuesit e ndërmarrjes u pritën në takim nga zëvendëskryeprokurorja e shtetit, Sevdije Morina dhe prokurori Idain Smailji, të cilët diskutuan për këtë rast.

Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit shprehën pakënaqësitë e tyre sa i përket, siç thanë ata, manipulimit mbi ndërmarrjen e tyre dhe kërkuan që Prokuroria e Shtetit të merret me hetimin e listës së kësaj ndërmarrje, duke theksuar se “aty janë futur persona në mënyrë të pamerituar, të cilët edhe kanë marrë këtë përqindje, duke mos qenë asnjëherë pjesë e kësaj organizate”.

“Prokuroria e Shtetit, me qëllim të ndriçimit të kësaj çështjeje, me përkushtim do të merret me hetimin e këtyre listave të cilat dyshohet se janë manipuluar”, ka thënë Prokuroria Themelore në Gjilan.