Këshilli Gjyqësor nuk merr masa ndaj Kabashiqit që u dërgoi letra shteteve të QUINT-it

Ridvan Hamza 01 December 2018 19:08

Dorëheqja e katër kryetarëve të komunave të veriut të vendit, la në hije një veprim të kryetarit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Nikola Kabashiq.

Kabashiqi u kishte dërguar letër ambasadorëve të shteteve të QUINT-it, me të cilën u kërkonte të shfrytëzonin autoritetin e tyre që të hiqet taksa e qeverisë për produktet serbe, raporton KTV.

Për këtë veprim krejtësisht jashtë përgjegjësive të tij, Instituti i Kosovës për Drejtësi, kërkoi masa ligjore, duke e konsideruar se letra përfshinte mesazhe dhe kërkesa politike, e të cilat janë në kundërshtim me pavarësinë e integritetin e sistemit gjyqësor.

Letra e Kabashiqit është diskutuar në mbledhjen e rregullt të Këshillit Gjyqësor, por Kabashiqi nuk do të ballafaqohet me ndonjë masë siç është kërkuar.

Për këtë letër është në dijeni edhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili ka thënë se po tentojnë të ruajnë punën e bërë në integrimit e sistemit të drejtësisë në veri të vendit nga ndikimi i zhvillimeve politike.

Pas vendosjes së taksës dhe fillimit të protestave të banorëve të veriut, pati edhe ndërprerje të punës në Gjykatën Themelore, por sipas kryesuesit Idrizi, tani gjendja i është kthyer normales. E një gjë të tillë e ka pohuar edhe nënkryetari i Gjykatës, Ali Kutllovci.

Përndryshe, Kabashiqi, pak kohë pasi kishte marrë detyrën e tij si kryetar i Gjykatës, kishte ofruar dorëheqjen e tij, por e cila nuk ishte pranuar nga Këshilli.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme