Arbëri

IKD kërkon masa ligjore ndaj kryetarit të Gjykatës së Mitrovicës

​Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësim në lidhje me veprimet e bartësve të funksioneve gjyqësore në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në Republikën e Kosovës, për të cilin thotë se ka ndërmarr veprime që bien në kundërshtim me parimet dhe vlerat që i promovon Kushtetuta dhe ligjet pozitive të Republikës së Kosovës.

Sipas IKD-së, letra e kryetarit të Gjykatës dërguar përfaqësuesve institucional dhe ndërkombëtar, përmban mesazhe dhe kërkesa politike, të cilat shkelin rëndë pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit në Republikën e Kosovës.

“Fatkeqësisht, këto veprime së bashku edhe me vizitën e kryetarit të Gjykatës tek presidenti i një shteti tjetër, kanë prodhuar pasoja, të cilat mund të rikuperohen vetëm përmes ushtrimit të kompetencave dhe përgjegjësive nga ana e KGJK-së, përfshirë ndërmarrjen e të gjitha masave ligjore në këtë rast. Në këtë drejtim, IKD kërkon nga KGJK që të ushtrojë kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore në mënyrë që të ruhet pavarësia e gjyqësorit në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e IKD-së.