Rama: Ushtria e Kosovës nuk do të ketë tanke

Komandanti i FSK-së sqaron largimin e ushtarit Hetemi

27 nëntor 2018 23:53
23:59

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama ka komentuar letrën e ushtarit Dardan Hetemi që ka thënë të jetë larguar nga FSK-ja për shkak të kapjes së saj nga politika.

Në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, Rama ka sqaruar se Hetemi ka qenë ushtar rezervë dhe është martuar jashtë Kosovës dhe ka qëllim që të shkojë jashtë.


Lexoni edhe: 

Ushtari dorëhiqet, akuzon se FSK-ja është kapur nga politika


“Nuk e di prej kujt janë kapur. E kam parë letrën dhe ka qenë shqetësim për mua, por mbi bazën e informacioneve ai është pjesëtar rezervë dhe është martuar diku jashtë dhe e ka qëllimin që të shkojë jashtë. Është fer dhe korrekte [largimi]”, ka thënë Rama që ka sqaruar se në FSK janë dy kampanja rekrutimi: ajo për ushtarët aktivë dhe ajo për rezervistët.

“Kemi dy kampanja: Për rekrutimin e ushtarëve aktiv dhe rezervë. Jam i obliguar që për 36 ditë pune t’i ftojë ushtarët rezervë. Ka qenë kampanjë për pjesëmarrje, është kampanjë e rekrutimit dhe ata kanë aplikuar si pjesëtar rezervë. Nuk e di kush është, por më vjen keq që ka menduar në atë formë. Është aplikacion që është e vetëdijshëm që ka aplikuar si ushtarë rezervë. Nëse ka menduar se mund të bëhet ushtar aktiv, ka qenë gabim sepse janë ligjet për këto gjëra”, ka thënë veç të tjerash Rama.

23:53

Rama: Ushtria e Kosovës nuk do të ketë tanke

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama në emisionin “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se Ushtria e Kosovës nuk do të ketë tanke pasi Kosova është vend i vogël dhe aspiron anëtarësimin në NATO.

Edhe pse ka thënë se është herët të flitet për armatimin që do të ketë Ushtria pas formimit, gjenerali Rama ka thënë se problemi me armatimin është botëkuptimi popullor si ushtri e pajisur me armatim të rëndë.

“Është pyetje që është pak herët që të deklarohemi, por jam i sigurt që pas vendimit politik, do të njoftoheni me kohë. Ditët e hapura [për qytetarët] do të ndodhin edhe në të ardhmen. Dyert tona janë të hapura çdo ditë për qytetarët. Kemi qenë transparent dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë pasi nuk kemi çfarë të fshehim. Ne jemi të detyruar që t’i japim llogari qytetarëve, përveç institucioneve. Unë duhet të raportoj dhe të jap përgjegjësi për zhvillimet që ndodhin”, ka thënë Rama.

“Problemin më të madh e kemi te mentaliteti. Strategjia e sigurisë në nivel global ka ndryshuar. Mund të them se nuk do të kemi tanke. Jemi vend i vogël ndërsa qëllimi ynë është që të jemi pjesë e NATO-s. Kur je pjesë e NATO-s është ndryshe”, ka thënë ai.

Rama thotë se janë larguar 71 ushtarë të komunitetit serb

I pyetur për largimin e pjesëtarëve të komunitetit serb nga FSK-ja, Rama ka thënë se deri më tani ka nënshkruar largimin e 71 ushtarëve të këtij komuniteti ndërsa ka fajësuar Serbinë për presionin që po bën ndaj tyre.

“Më gëzon edhe një fakt që bazuar në kërkesat e tyre për demobilizim nuk kemi pasur fjalë nga ata për trajtim të keq dhe gëzohem se kanë qenë të trajtuar mirë. Numri aktual dhe real është 71të larguar nga FSK-ja. Gjysma e pjesëtarëve serbë janë larguar. Patjetër janë larguar nga presionet personale dhe familjare. Janë ndalë në kufi, u kanë ofruar para dhe marrin paga vetëm që të largohen nga FSK-ja. Edhe te ushtarët që kanë mbetur vazhdon të ketë presion sistematik”, ka thënë Rama.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme