Mustafa fton degët e LDK-së që të bëhen gati për zgjedhjet e reja

Mustafa fton degët e LDK-së që të bëhen gati për zgjedhjet e reja

23 November 2018 18:12

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka ftuar degët e partisë që drejton që të bëhen gati për zgjedhjet e parakohshme.

Në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Mustafa ka thënë se Kosova nuk është mirë që po qeveriset nga një qeveri e pakicës që i ka shkaktuar shumë dëme shtetit që prej ardhjes së saj.

Mustafa ka thënë se partia e tij ka konstatuar që qeveria e prirë nga Ramush Haradinaj dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, janë përgjegjës për dëmet që i kanë bërë Kosovës me idenë për shkëmbimin e territoreve që ka çuar në ngecjen e njohjeve të reja dhe tërheqjen e disa prej shteteve që tashmë e kanë njohur shtetin e Kosovës.

“Diskutuam për zgjedhjet qendrore dhe platformën e LDK-së. Biseduam për rezultatet e të bërit opozitë në Kuvend dhe në komuna. Konstatuam se Kosova meriton të qeveriset nga një qeveri normale. Qeveria dhe presidenti janë përgjegjës për dëmet që i janë bërë me idetë për shkëmbimin e territoreve dhe kanë ngecur njohjet dhe kanë evidenca se disa vende kanë filluar t’i tërheqin njohjet e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mustafa ka thënë se fundi i tij duhet të rezultojë me njohjen e pavarësisë dhe garancionin e institucioneve ndërkombëtare se Kosova të anëtarësohet në OKB dhe në BE.

“Marrëveshja që do të arrihej duhej të aprovohej nga Komisioni Evropian dhe të aporovhej nga pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Për një epilog të suksesshëm duhet një angazhim i SHBA-ve dhe i BE-së. Jo vetëm në procesin e dialogimit por edhe në implementimin e kësaj marrëveshje”, ka thënë Mustafa që ka shtuar se partia e tij e kundërshton dialogun për shkëmbim territoresh dhe konsideron që çështjet kanë përfunduar me aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

I pyetur për vendimin e qeverisë që taksa ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës të jetë 100 për qind, Mustafa ka thënë se Serbia e meriton të ketë një taksë të tillë për shkak të dëmeve që ia ka bërë Kosovës.

“Është vendim populist. Është vendim që është përkrahur nga populli për shkak të veprimeve që ka bërë Serbia në dëm të Kosovës. Sa i përket Serbisë ajo e ka merituar një vendim të tillë. Por duhet të jenë vendime të matura mirë dhe të jenë vendime të bashkërenditura me marrëveshjet dhe kontratat që ka Kosova me BE-në”, ka thënë Mustafa.

Ish-kryeministri i Kosovës ka thënë se partia e tij është duke bashkëpunuar me Lëvizjen Vetëvendosje dhe ka filluar bashkëpunimin edhe me PSD-në për të siguruar votat për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

“Po bashkëpunojmë me Vetëvendosjen dhe me PSD-në që të marrim përkrahjen e tyre sepse po duket se ata po votojnë iniciativat e qeverisë. Do të bashkëpunojmë edhe me deputetët e pozitës që t’i bindim se Kosova nuk është mirë të qeveriset me qeveri të pakicës. Do të vazhdojmë edhe me mocionin e mosbesimit dhe me një tryezë të gjejmë një gjuhë të përbashkët për zgjedhjet e reja dhe të shpërbëhet Kuvendi. Ne duhet t’i kemi votat, duhet të jemi të sigurt që të votojnë 61 deputetë”, ka thënë veç të tjerash Mustafa.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme