Hoxhaj: Me taksë do ta godasim Serbinë si me “stupc”

Hoxhaj: Me taksë do ta godasim Serbinë si me “stupc”

21 November 2018 23:35

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se taksa prej 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia, është “goditje me stupc ndaj këtij shteti”.

Në Interaktiv të KTV-së, Hoxhaj e ka quajtur vendim të studiuar mirë, legjitim dhe demokratik taksën ndaj mallrave të Serbisë.

Ka thënë se kjo masë ka ardhur pas fushatës agresive të Serbisë ndaj Kosovës.

“Është vendim i studiuar mirë, legjitim dhe mënyrë normale e demokratike se si shtetet veprojnë. Dita e djeshme është dita më markante pas dështimit në Interpol dhe kur një shtet cenon sovranitetin e një shteti duhet marrë masa të brendshme. Ka të bëjë me Interpolin, por edhe me një qasje që ka ndjekur Serbia në dhjetë vjetët e fundit ndaj Kosovës. Po ushtron presion diplomatik ndaj Kosovës. Disa shtete kanë tërhequr njohjen. Na ka penguar edhe në organizata tjera. I vetmi raport normal që i intereson Serbisë është që Kosovën ta ketë koloni tregtare e të shesë produktet në Kosovë. Jam i mendimit që të ketë edhe vendime të tjera, por të shohim si sillet Serbia. Duhet të kemi qasje kreative, strategjike, diskurs të moderuar politik. Por siç ka thënë një president amerikan ta tërheqim ‘zhagas një stupc të gjatë e me këtë stupc ta godasim Serbinë’. Masa më e mirë ka qenë kjo”, ka thënë ai.

Sipas tij, dëmi që i shkaktohet Serbisë me këtë masë është 1.5 milionë euro në ditë. Ai ka thënë se tash është koha që të bojkotohen tërësisht produktet e Serbisë.

Hoxhaj ka paralajmëruar edhe masa tjera nëse Serbia nuk ndërpret luftën diplomatike ndaj Kosovës. Nuk ka pranuar të komentojë sa do të zgjasë masa e fundit, ndërsa ka thënë se do të bëjnë përpjekje që t’i bindin edhe partnerët ndërkombëtarë për vendimin e sotëm.

“Nëse Serbia e përdor buxhetin 400 milionë eurosh në vit që i fiton në Kosovë kundër Kosovës, ne duhet të ushtrojmë sovranitetin tonë. Një nga mënyrat është pikërisht vendosja e taksës në importet serbe. Mund të ketë edhe të tjera. Nuk e përjashtojmë atë mundësi. S’preferoj të flas para kohe, por të shohim si vepron Serbia. Nëse ka veprime tjera, ne s’mund të heqim dorë nga shtetësia jonë. Duhet të ketë marrëdhënie normale me ne. Të heqë dorë nga përpjekjet për izolim e të kalojë në marrëdhënie normale e shoqërore. Është herët të flitet sa do të zgjasë. Para dy javësh kur e morëm këtë masë, njerëzit menduan se do të qëndrojë vetëm 24 orë, por ne e mbajtëm. Do t’ia shpjegojmë partnerëve ndërkombëtarë, t’u themi troç e mirë. Duhet të kemi vetëdije shtetërore”, ka shtuar ai.

Për reagimet nga Evropa që kjo masë të tërhiqet urgjentisht, Hoxhaj ka thënë e Bashkimi Evropian duhet të jetë i balancuar në qëndrime dhe të mos deklarohet njëanshëm.

“Ndikimin e tyre ata duhet ta ushtrojnë që të shohin se sa po zbatohen marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, se sa Serbia është parimore në marrëveshje. Kemi pika në veri që i ka ndërtuar BE-ja. Deri sot nuk janë vendosur policët dhe doganierët serbë që qëndrojnë në baraka. Para se të reagojë për këtë, BE-ja duhet të mbrojë investimet e veta. Ftojmë BE-në të jetë e balancuar, e drejtë dhe jo e njëanshme”, ka thënë më pas ai.

Teksa e ka quajtur të pafytyrë ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, Hoxhaj ka thënë se Serbia po tregon sjellje destruktive për të gjithë rajonin.

Sipas tij, vonesa e liberalizimit të vizave nuk ka asnjë lidhje me masën e fundit ndaj Serbisë.  

Hoxhaj ka përsëritur deklaratat e tij se Evropa është treguar e padrejtë dhe paragjykuese me vonesën për liberalizim vizash për Kosovën, por edhe me vendimin që me Shqipërinë të mos hapë negociatat për pranim tash. Ka thënë se qëndron prapa deklaratave se Evropa është albanofobike.

“I kemi plotësuar të gjitha kriteret. Kanë thënë se nëse Kosova e ratifikon marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi ju do të udhëtoni pa viza. Kam ndjekur diskurse edhe më të ashpër, pos se Evropa ka një paragjykim për ne”, ka deklaruar ai duke shtuar se do të bëhet përpjekje e madhe që Kosova të mbetet në agjendën e Evropës për votim për liberalizim në dhjetor.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Valon22/11/2018 11:57

Bravo, stupc është instrumenti juaj i përditshëm nga mosha mesjetare që nuk mund të heqësh qafe!

Shto koment

Të ngjashme