Arbëri

MPJ për dështim në Interpol akuzon Serbinë për shantazhime e korruptim delegacionesh

Prishtinë, 20 Nëntor - Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës përmes një komunikate për media e akuzoi Serbinë “për qasjen shantazhuese ... karshi zyrtarëve të Interpolit dhe disa delegacioneve të vendeve afrikane” që rezultoi me mospranimin e Kosovës në Interpol.

MPJ shpreh shqetësimin e thellë për mosanëtarësim në Interpol dhe për qasjen shantazhuese të shtetit serb karshi zyrtarëve të Interpolit dhe disa delegacioneve të vendeve Afrikane, si dhe dënon mësymjen e zyrtarëve të delegacionit të Serbisë në tentativën e tyre të korruptimit përmes mitos për disa nga zyrtarët pjesëmarrës të vendeve anëtare në Interpol.

Anëtarësimi në Interpol ka qenë proces i përmbushjes së kritereve teknike dhe profesionale, të cilin struktura drejtuese dhe menaxheriale e Interpolit e ka vlerësuar pozitivisht, por Serbia dhe disa nga shtetet me të cilat ajo qëndron në raport të ngushtë, e politizuan.

Republika e Kosovës falënderon të gjitha shtetet që votuan pro anëtarësimit dhe do të vazhdojë thellimin e bashkëpunimit me vendet aleate, SHBA-të dhe BE-në.

nuk do të ndalojë së rrugëtuari në procese ndërkombëtare në të gjitha fushat, përfundon komunikata.