Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit publik që të iniciojë ndryshimet ligjore për Ligjin e Prokurimit Publik, në mënyrë që operatorët ekonomik që falsifikojnë dokumente gjatë procesit të tenderimit të diskualifikohen deri në vendim të Gjykatës, e jo vetëm 12 muaj siç ndodh tani.
Diana Metushi-Krasniqi nga kjo organizatë ka thënë se nga 2 nëntori lista e zezë e Organit shqyrtues të prokurimit është e pastër pasi të gjithë operatorëve iu ka skaduar masa e ndëshkimit për diskualifikim nga proceset tenderuese në periudhën deri në 1 vit, transmeton Koha Ditore.
Ajo ka kërkuar nga Prokuroria e shtetit që të ndërmarrë masa ndaj shkelësve të ligjit dhe falsifikuesve të cilët identifikohen në vendimet e OSHP-së.
Edhe Elira Tahiri nga KDI ka thënë se operatorët ekonomik të papërgjegjshëm përfitojnë nga kontratat publike me ndëshkime minimale për vepra penale. Pasojat janë aq të vogla ky mosveprim i OSHP-së rrezikon të stimulojë edhe bizneset tjera që të ndjekin shembullin e njëjtë.
“Kodi penal i Kosovës përveç që parasheh falsifikimin e dokumenteve zyrtare, obligon të gjithë qytetarët dhe veçanërisht zyrtarët publik që të lajmërojnë veprën penale menjëherë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, rastet e trajtuara nga OSHP ku janë vërtetuar vepra të tilla nga operatorët ekonomik dhe ka lëshuar vendime për diskualifikim të operatorëve ekonomikë gjatë periudhës 12 mujore ka të bëjnë me falsifikim të autorizimeve të prodhuesit, falsifikim të katalogëve, falsifikim të certifikatës ISO, falsifikim të certifikatës së ATK-së, falsifikim të vulës dhe tekstit të noterit, falsifikim të diplomave dhe të gjitha këto janë vepra penale.
“Në pesë raste operatorët ekonomik janë diskualifikuar për periudhën 6 mujore për kryerjen e një vepre penale dhe në tre raste dënimet për operatorët e ekonomik kanë qenë diskualifikimet për 12 muaj apo 1 vit për pjesëmarrje në prokurim publik”, ka pohuar ajo, duke kërkuar angazhim nga Prokuroria dhe OSHP-ja që t’i adresojë këto raste aktuale, por edhe rastet tjera./S.Jusufi/