SHBA-ja do të vazhdojë të jetë partnere e fuqishme e Kosovës si dhe do të ndihmojë avancimin e Kosovës në menaxhimin e financave publike.
Kështu ka thënë e ngarkuara me Punë në Misionin e SHBA-së në Kosovë, Colleen Hyland, gjatë një takimi me Ministrin e Financave, Bedri Hamza.
Sipas njoftimit të MF-së, Hyland e ka përgëzuar Hamzën për angazhimin e tij dhe të MF-së për procesin e Buxhetit për vitin 2019.
“Ajo gjithashtu shprehu gatishmërinë e saj dhe të shtetit amerikan për të rritur bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve, me qëllim të avancimit të Kosovës në menaxhimin e financave publike”, thuhet në njoftimin e MF-së.
Hamza, duke e cilësuar SHBA-në si partner strategjik të Kosovës, falënderoi Hylandin për ndihmën dhe kontributin që shteti i saj ka dhënë dhe vazhdon të japë për institucionet e Kosovës, sidomos për Ministrinë e Financave.
Ministri gjithashtu e njoftoi Hylandin për të arriturat dhe sfidat e Ministrisë së Financave, në veçanti për procesin e Buxhetit të shtetit për vitin 2019, si dhe për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend.