Serbia ka mbajtur stërvitje të mëdha ushtarake të shtunën për të shënuar 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore në një prezantim të dukshëm të forcës mes tensioneve në ngritje rreth Kosovës.
Manovrat e armatimit që u prezantuan direkt, nën moton “Shekulli i Fituesve”, përfshinë 8 mijë ushtarë, 100 tanke luftarake dhe aeroplanë luftarakë MiG-29 rusë, raporton AP.
Kohëve të fundit tensionet në rajon janë ngritur, me Serbinë dhe Kosovën që akuzojnë njëra-tjetrën për minim të përpjekjeve për pajtim pas luftës së viteve 1998-99 që përfundoi pas intervenimit të NATO-s.
Zyrtarët serbë janë të brengosur veçanërisht nga planet e Kosovës për të transformuar forcën e saj të sigurisë në trupa të rregullta të ushtrisë. Serbët kanë paralajmëruar për masa të paspecifikuara për të parandaluar atë hap dhe për të “mbrojtur” pakicën serbe në Kosovë, transmeton Koha.net.
E përkrahur nga aleati i saj Rusia, Serbia kohë më parë ngriti gjendjen e gatishmërisë luftarake të trupave të saja për shkak të disa incidenteve të vogla. Intervenimi i ushtrisë serbe në Kosovë do të nxiste një përplasje direkte me paqeruajtësit e NATO-s të vendosur në Kosovë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që mori pjesë në stërvitjet ushtarake të mbajtura në disa pjesë të Serbisë, tha se vendi ballkanik do të përforcojë forcat e saj “sulmuese” me pajisje të reja, përfshirë helikopterë, 30 tanke luftarake nga Rusia dhe me dronë nga Kina.
“Jemi duke e përforcuar dramatikisht ushtrinë tonë”, tha Vuçiqi për televizionin publik serb, RTS. “Askush në rajon, përveç ndoshta Rumanisë, nuk mund të krahasohet me ne”.
Serbia shpesh akuzohet gabimisht për nisjen e Luftës së Parë Botërore pasi një adoleshent serb, Gavrilo Princip, vrau Arkdukun Franz Ferdinand në Sarajevë, në vitin 1914, duke nxitur disa ngjarje që përfundimisht çuan në luftë.
Serbia humbi rreth gjysmën e popullatës së saj mashkullore gjatë luftës katër-vjeçare, përfshirë 130,000 trupa në një sërë betejash në Ballkan kundër një ushtrie shumë më të fuqishme. Vuajtjet e Serbisë konsiderohen humbjet më të rënda nga ndonjë vend evropian gjatë luftës në proporcion me madhësinë e popullatës dhe ushtrisë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.