Arbëri

Në dyqanet afër shkollave, nxënësit blejnë cigare pa ndonjë telashe

Një ditë pasi ministri i Tregtisë e Industrisë lëshoi urdhëresë që të ndalohet shitja e cigareve dhe alkoolit për fëmijët nën 18 vjeç, në praktikë jo në të gjitha dyqanet ka filluar të respektohet. Kjo pasi, sidomos në dyqanet afër shkollave, nxënësit sot patën mundësi që, si zakonisht, të blejnë produkte të tilla.

Edhe pse janë të mitur, shumë nxënës të shkollave të mesme në Prishtinë janë konsumues të duhanit. Në hapësirat pranë shkollave, shumë të rinj konsumojnë cigare, e shumica prej tyre, nën moshën 18 vjeçe. Madje, ata edhe mund të blejnë duhan pa asnjë problem, në disa markete e kioska të kryeqytetit, raporton televizioni publik.

Edhe vetë nxënësit tregojnë se në disa markete të caktuara mund të blejnë lehtësisht duhan.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, lëshoi urdhëresë për Inspektoratin e Tregut, që obligon zbatimin me përpikëri të nenit 15 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit që ka për qëllim ta ndalojë dhe sanksionojë shitjen, shërbimin dhe dhurimin e duhanit dhe pijeve alkoolike personave nën moshën 18 vjeçe.

Urdhëresa obligon të gjitha bizneset që ta paraqesin në vendin e tyre shenjën për ndalimin e shitjes së këtyre produkteve personave nën 18 vjeç.

Valbona Mahmuti, shitëse në një dyqan afër shkollave të mesme ekonomike e teknike në kryeqytet, thotë se nuk u shet të miturve duhan e alkool dhe se shumë shpejt do ta vendosë edhe shenjën paralajmëruese.

Prindërit e gjyshërit e mirëpresin këtë nismë të Ministrisë së Tregtisë por thonë se problem do të mbeten shitësit ambulantë.