Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, familjarë, shokë dhe miq kanë bërë homazhe sot tek varri i Astrit Deharit në dy vjetorin e vdekjes së tij në burgun e Prizrenit.
Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti tha se drejtësia e Astritit në Kosovë është vet liria.
“Astriti ishte i lëvizjes e tash jemi ne të tij. Ka qenë i studentëve, i shoqërisë dhe i kombit, i të varfrit dhe i të papunit, i të gjithëve përveç i vetes së tij. Astriti nuk ka qenë, por është. Është frymë që na shtyn, nuk na mungon neve, vetëm ne mund t'i mungojmë atij. I përkulemi me mall”, tha Kurti.
Babai i Astritit, Avni Dehari, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit duke thënë se mbështetja e tyre i bën krenarë, transmeton kp.
Përveç homazheve të varrezat, aktivistë të VV-së do ta vizitojnë familjen Dehari si dhe do të vendosin tabelën në një rrugë të Prishtinës me emrin “Arbënor dhe Astrit Dehari”.
Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 në rrethana ende të paqarta.
16:58 - Homazhe te varri i Deharit ka bërë edhe Partia Socialdemokrate.
Nënkryetari i kësaj partie, Visar Ymeri, ka thënë se Astrit Dehari kishte vdekur teksa mbahej në burg, “me një akuzë që u dëshmua të jetë tërësisht e montuar, pa kurrfarë prove a dëshmie”.
“Dy vjet më parë, në Burgun e Prizrenit, vdiq Astriti. Aty mbahej padrejtësisht, me një akuzë që u dëshmua të jetë tërësisht e montuar, pa kurrfarë prove a dëshmie. Edhe arrestimi edhe vdekja e Astritit flasin zëshëm për shtetin e kapur. Si duket e si vepron ai. Sot emri i Astritit është bërë sinonim për drejtësinë e munguar. Askush nga zyrtarët nuk ka dhënë përgjegjësi”, ka shkruar Ymeri në Facebook.
-
5 nëntor 2018 11:33
-
Shpërndaje në: