Arbëri

Haliti thotë se marrëveshja Kosovë-Serbi është “Merr-Jep”

Foto: Koha

Idetë e shqiptarëve dhe serbëve për t’i bashkuar trojet që historikisht i kanë njohur të tyre, janë ide të vjetërsuara. Andaj, një referendum në Kosovë për t’ia bashkuar Republikës Luginën, është i pa qëndrueshëm dhe i panevojshëm.

Kështu thotë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, sipas së cilit aktualisht në politikë duhet të tregohet racionalitet. Në një intervistë dhënë KosovaPress-it, Xhaviti flet për idenë e korrigjimit të kufijve, procesin e liberalizimit të vizave dhe dialogun me Serbinë. Për këtë të fundit thotë se me këtë qasje politike nuk do të ketë asnjëherë marrëveshje finale, andaj sipas tij, dialogu do të duhej t’i lihej në dorë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nënkryetari i Kuvendit thotë se duhet të shënohet demarkimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, dhe i njëjti të votohet në Serbi kur ata të njohin pavarësinë e Kosovës.

Por sipas tij, nuk duhet të bëhej marrëveshje për këmbim të territoreve në këtë formë siç po diskutohet në opinion.

“Mendoj që nuk do të duhej që të bënim marrëveshje për këtë këmbimin e territoreve në format në të cilat po diskutohet në media. Nuk kam parë ndonjë dokument se cili është ky korrigjimi i kufirit, i vijës kufitare, por e di që ky demarkacioni duhet të bëhet dhe duhet të votohet edhe në Serbi, ndoshta në momentin që ata do ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe ndoshta duhet me u kriju një komision i cili shënon kufirin. Edhe pse, të dhënat janë që kufiri është ai i 74’, kufiri është ai që është njoft Kosova ndërkombëtarisht në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, është njoft me marrëveshjen e Ahtisarit, dhe bombardimet dhe lufta e NATO-s në Kosovë është bërë për t’u çliruar territoret të cilat kanë qenë po ata kufij të Kosovës që kanë qenë të vitit ’74, kështu që çdo shmangie nga kjo unë mendoj që sjell pasoja për Kosovën, sjell pasoja pastaj edhe për raportet me shumë vende të cilat mund të reagojnë dhe mund të veprojnë në dëm të interesave tona, është më mirë që të jemi të kujdesshëm të gjithë”, thotë ai.

Xhavit Haliti i PDK-së, thotë se Kosova e ka të garantuar integritetin territorial.

Sipas tij, duhet të ketë bisedime me Serbinë, por jo për kufijtë, por për të parë se çka duhet të marrim dhe çka të japim. Siç thotë ai, marrëveshjet janë të tilla, “merr’e jep”.

“Ne e kemi të garantuar integritetin territorial dhe këtë integritet territorial e garantojnë forcat e NATO-s, dhe nëse ato e garantojnë në vazhdimësi, përderisa është kështu atëherë as qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë që të merakosen për tjera çështje, dhe nëse Serbisë i ngutet, neve jemi të gatshëm ta presim Serbinë derisa ajo të vejë në tavolinë interesat e saj në procesin për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Debatet që mund të zhvillohen, ose bisedimet që mund të zhvillohen për marrëveshje të deritashme, për çështje që janë të hapura, por jo për kufijtë, unë jam që bisedimet të vazhdojnë dhe të ketë lehtësira për të dyja palët, për të parë se çka duhet të marrim dhe çka duhet të japim, sepse marrëveshjet janë të tilla, merr’e jep është kjo punë”, thotë ai.

Ndërsa për idenë e presidentit të Kosovës, që Presheva, Medvegja e Bujanoci t’i bashkohen Republikës së Kosovës, Haliti thotë se ide të tilla janë të vjetërsuara.

Sipas tij, një referendum i mundshëm në Kosovë me këtë tema, është i panevojshëm dhe i pakuptimtë.

Haliti thotë se në Serbi do të mund të kërkohej një referendum i tillë, por që do të ishte i dështuar.

“Bashkësia ndërkombëtare i ka pas parasysh çështjet që kanë të bëjnë me këto idetë e mëhershme të shqiptarëve, ashtu siç ka pas parasysh edhe me idetë e mëhershme të serbëve, sepse ata kanë pas dëshirë dhe kanë luftuar për me dalë në Durrës, kufirin e kanë pas të caktuar në Durrës historikisht Serbia, me dalë në ujëra të nxehta, me dalë në Detin Adriatik, dhe këto janë ide të vjetërsuara, edhe për ne edhe për ata. Një referendum në Kosovë, se a bashkohet Presheva, Medvegja dhe Bujanoci me Kosovën, më duket i pa qëndrueshëm dhe i panevojshëm, sepse ato janë territore aktualisht brenda Republikës së Serbisë. Dhe, ato mund të kërkojnë të bëjnë referendum atje, dhe ai referendum sipas ligjeve të Serbisë duhet të mbahet në krejt Republikën e Serbisë, dhe do të ishte referendum i dështuar. Unë jam për politikë më racionale sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë më ketë”, thotë ai.

Ai thotë se aktualisht në politikë duhet të jenë më racion sa i përket çështjeve të tilla.

Sipas Xhavit Halitit, Kosova dhe Serbia nuk do të arrijnë asnjëherë marrëveshje finale me këtë qasje politike që kanë.

Sipas tij, çështjen e dialogut do të duhej t’ua linin në duar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

“Unë jam që çështjen e marrëveshjes me Serbinë të ia lëmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe Bashkimit Evropian në dorë, që ta përmbyllin ata, të na ulin dhe të na i qesin dokumentet përpara dhe të na thonë të dyja palëve nënshkruani. Nëse nuk ndodh kjo kurr marrëveshje me këtë qasje politike që e ka Kosova, edhe Serbia, nuk e kemi të mundshme ta arrijmë lehtë. Vetëm presioni dhe interesi i dyanshëm do ta sjell situatën në pikën ku do të dëshironin ndoshta Bashkësia Ndërkombëtare dhe do të ishte në interes të dyja palëve për t’u hap rrugë për në Bashkimin Evropian”, deklaron ai.

Në intervistën për KosovaPress, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti është përgjigjur edhe rreth procesit të liberalizimit të vizave.

Ai është shprehur skeptik për përfundimin e shpejtë të këtij procesi të tejzgjatur.

“Unë kam qenë skeptik në vazhdimësi sa i përket liberalizimit të vizave, ne kemi më shumë se 10 vjet që themi se në fund të vitit e kemi liberalizimin e vizave, edhe këtë vit po themi që në fund të vitit do ta kemi liberalizimin e vizave, por unë kam dëgjuar përfaqësuesen e BE-së që ka thënë mos caktoni data dhe mos flisni në emër të liberalizimit të vizave, dhe mos garantoni qytetarët, tani po dalim gënjeshtarë kur po garantojmë”, thotë ai.

Haliti thotë se disa shtete të BE-së janë kundër që të bëhet liberalizimi i vizave për kosovarët, sipas tij, faji kryesor është dëshira e kosovarëve të migrojnë jashtë për të kërkuar strehim nëpër vendet e Bashkimit Evropian. Meqë, siç thotë ai, janë çështje të cilat kanë kosto për secilin vend që ata shkojnë.

Por, Haliti thotë që nuk është në interes të Republikës së Kosovës që të lejojë kosovarët të kërkojnë një jetë më të mirë në vendet e tjera.