Arbëri

4 milionë euro mirëmbajtje për 8 milionë euro pajisje mjekësore në SHSKUK

Miliona euro çdo vit i shpenzon Shërbimi Spitalor i Klinikës Universitare për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore.

Mbi 8 milion euro është vlera e pajisjeve mjekësore që ka në dispozicion SHSKUK-ja, por vetëm për mirëmbajtje dhe servisim gjatë vitit 2016-2017 janë harxhuar rreth 4 milion euro, gjë që flet shumë për vjetërsinë e tyre, raporton KTV.

Por, kjo nuk ka bërë që gjendja e tyre të përmirësohet.

Një auditim i bërë vetëm pajisjeve mjekësore, përkatësisht CT-ve në QKUK dhe në disa spitale rajonale ka vënë në pah problemet me menaxhimin dhe mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve mjekësore.

E, përkundër kësaj situate të krijuar, vërehet se as SHSKUK-ja e as Ministria e Shëndetësisë nuk e kanë zbatuar shumicën e rekomandimeve të dhëna nga auditori gjatë viteve të kaluara, duke bërë që situata të mos ketë fare përmirësim.

Ky auditim thekson se Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndonjë mekanizëm për ta mbështetur funksionimin e plotë të pajisjeve mjekësore në institucionet publike.

Për më tepër, raporti vë në pah moskomunikimin e duhur mes SHSKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë .

Mungesa e trajnimeve profesionale për bioinxhienerët që punojnë në kuadër të spitaleve dhe QKUK-së, sipas këtij raporti, ka bërë që mijëra euro të shtetit të shpenzohen në mirëmbajtje dhe servisim përmes kontraktorëve të jashtëm.

Derisa, ka pasur raste kur pajisjet kanë qenë jashtë funksionit deri në 6 muaj.

KTV-ja ka kërkuar përgjigje nga ana e SHSKUK-së lidhur me të gjitha këto probleme që janë gjetur nga auditori, por përgjigja e vetme e këtij institucioni ka qenë që do të merren parasysh këto rekomandime.

Derisa, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se ka formuar një grup punues i cili i ka adresuar të gjitha rekomandimet e dala nga raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Ndryshe, në Kosovë është vetëm një aparat i rezonancës magnetike, i cili gjendet në QKUK . Ndërkaq, nëntë aparate të CT-së dhe gjashtë aparate të mamografisë janë të shpërndara nëpër spitale .