Arbëri

LDK-ja e gatshme për zgjedhje, edhe në Mitrovicë kërkon mobilizim

Kryesia e LDK-së sot ka vizituar degën e kësaj partie në Mitrovicë.

Kryetari i LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi ka bërë të ditur që qëllimi i këtij takimi është njoftimi i strukturave për së afërmi me qëndrimet e LDK-së për situatën aktuale politike dhe ka hapur debatin.

Siç thuhet në komunikatën për media, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve lokale, i cili edhe pse ka qenë jo i dëshirueshëm, por LDK-në në Mitrovicë e sheh të fuqishme dhe shumë e suksesshme.

Siç njofton LDK, Beqiri ka folur për qëndrimet e LDK-së për dialogun, korrigjimin e kufijve, formimin e Forcave të Armatosura, listat e fryra të veteranëve dhe një mori veprimesh të LDK-së, të cilat tashmë janë të njohura për publikun.

Sekretari i Përgjithshëm, Beqiri ka përmendur dokumentin për orientimet e LDK-së për dialogun, i cili pritet të miratohet në Këshillin e Përgjithshëm.

Beqiri po ashtu, ka thënë se institucionet kanë humbur kredibilitetin dhe legjitimitetin për të shtyrë përpara procese tejet të rëndësishme për vendin, prandaj vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Ai gjithashtu kërkoi mobilizim maksimal dhe punë me të gjitha strukturat, që LDK-ja të jetë fituese.

Deputetja, Vjosa Osmani ka thënë që qëllimi i takimeve më shumë është të dëgjohen strukturat, propozimet, problemet dhe vërejtjet e tyre.

Osmani ka thënë që vendi është duke u zbrazur dhe jo vetëm, por edhe duke u zbehur partneriteti me miqtë tonë ndërkombëtar.

Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së ka folur për temat më të rëndësishme për zhvillimin socio-ekonomik të vendit, arsimin, shëndetësinë dhe tema tjera urgjente që po prekin vendin. Ai ka thirrur të pranishmit që këtë gjendje të rëndë ta shfrytëzojmë së bashku si energji dhe shkas për ndryshime pozitive në të ardhmen e afërt.