Krasniqi thotë se LDK-ja dhe VV-ja e kuptuan që gabuan me bojkot të Kuvendit

Krasniqi: Sikur të bashkohemi si opozitë, qeveria s’mund të marrë asnjë vendim

31 October 2018 20:29
21:51

Frashër Krasniqi në Rubikon të KTV-së foli për rezultatin që do të prodhonte bashkimi i opozitës në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i PSD-së tregoi se janë të hapur për bashkëpunim duke përmendur se bashkimi i tyre do t’ia kthente fuqinë opozitës dhe rrjedhimisht qeveria nuk do të mund të merrte asnjë vendim.

Mirëpo, duke parë që një gjë e tillë nuk po bëhet, Krasniqi goditi pjesën tjetër të opozitës, Lidhjen Demokratike dhe ish partiakët e tij, Vetëvendosjen, duke thënë se problemi i opozitës është se po iu mungon besimi.

“Nëse e ka shumicën opozita atëherë i bie që opozita mundet ta drejtojë rrjedhën e këtij procesi dhe t’ia kthejë fuqinë Kuvendit sepse nëse bëhet një ekip negociator i cili propozohet nga Kuvendi, ku merr pjesë opozita, në të qeveria nuk mund të marrë asnjë vendim”. “Problemi është që opozita nuk ka besim te vetvetja”, theksoi Krasniqi.

21:13

Sveçla thotë se nuk do të ndryshojnë përmbajtjen e Rezolutës me pikat e pozitës

Deputeti i VV-së, Xhelal Sveçla ka thënë se në rezolutën e hartuar nga VV-ja dhe LDK-ja për dialogun nuk mund të ndryshohet përmbajtja me ato që dëshiron pozita.

Përmes ndryshimit të rezolutës, sipas Sveçlës, partitë e pushtetit duan t’i hapin rrugë iniciativës së Presidentit për “korrigjim kufijsh”. Ai ka thënë se në këtë moment partitë në pushtet nuk duan që ta pengojnë presidentin Thaçin në rrugëtimin e tij.

Madje për deklaratat e kundërshtarëve të tyre politikë, Sveçla tha se i bën të duken si zëdhënës të opozitës.

“Është shumë interesant qysh po flet pozita për një pjesë të opozitës si zëdhënës tanë. Nuk keni nevojë ju me i tregu publikut për idetë tona, ne i themi vetë ato. Një person i cili po vazhdon praktikat e mëhershme dhe tash nuk ka vullnet me ndalë, fillimisht prej Qeverisë e tash edhe prej Kuvendit. Roli i tij është përfaqësues dhe nuk është politik, tjetra, çka po doni ju – në një iniciativë tonën ju po doni të implementoni diçka për të cilën ne nuk jemi dakord”, ka thënë ai.

Opozita sot propozoi rezolutë me vetëm një pikë ku theksohej se Kosova është e pandashme dhe se askush, përfshirë presidentin, s’ka mandat të negociojë për territorin e saj. Pas propozimit të opozitës, pozita kishte propozuar gjashtë pika që mund të përfshiheshin në rezolutë.

20:50

Gaxherri thotë se rezoluta për dialogun është siguresë për integritetin territorial

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë se rezoluta e propozuar nga partia e saj dhe Vetëvendosja kundër negocimit të kufijve në dialogun me Serbinë është siguresë që ia kujton presidentit Hashim Thaçi se çka thotë Kushtetuta për integritetin territorial.

Në Rubikon të KTV-së, ajo ka bërë përgjegjës koalicionin qeverisës për bllokimin e jetës parlamentare.

“U vendos që kjo rezolutë të hedhet në fillim të seancës në votim nesër. Po e përsëris që është përgjegjësi e koalicionit qeverisës. Askush nuk ishte kundër një referenti që është referent i Kushtetutës. Ne e dimë çka thotë Kushtetuta por po ashtu që e dimë se çka është duke bërë Presidenti. Është një siguresë që ja përkujton në momente të caktuara, siç është rasti me Presidentin”, ka thënë Gaxherri. “Në Kosovë është bllokuar jeta parlamentare, është një krizë prej të cilës duhet dalë dhe për këtë ka përgjegjësi koalicioni qeverisës”.

Gaxherri drejton gishtin te kryeministri Ramush Haradinaj, të cilin e gjen fajtor të futjes së vendit në krizë të thellë, duke thënë se po ta merrte në dorë ai dialogun, Kosova nuk do të ishte në këtë gjendje.

20:29

Krasniqi thotë se LDK-ja dhe VV-ja e kuptuan që gabuan me bojkot të Kuvendit

Dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja, tërthorazi e kanë kuptuar se e kanë pas gabim me bojkotin që kanë bërë deri tash dhe po i kthehen Kuvendit, sipas deputetit të PSD-së, Frashër Krasniqi.

Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se këto parti e kanë kuptuar që përmes bojkotit nuk mund të arrijnë asgjë.

Krasniqi po ashtu ka thënë se tash partitë politike nuk kanë nevojë të bëjnë rezolutë për dialogun, por të bëhet platforma.

“Sot Glauk Konjufca tha se është dakord me pikat e rezolutës së PDK-së, veç duhet të shtohet edhe një pikë. Nëse ka pajtueshmëri me rezolutë, atëherë është koha për platformë e jo me rezolutë. Tash partitë politike nuk kanë nevojë me bë rezolutë”, ka thënë ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme