Ka mjaftuar një shpallje e një kompanie të quajtur “BSB Aviation” në Facebook, se një aeroport në Gjermani po kërkon dy mijë punëtorë nga Kosova dhe rruga përballë Shtëpisë së Kulturës në Prizren, është bllokuar nga të interesuarit.
Mijëra qytetarë nga Prizreni e më gjerë, kanë vërshuar hapësirën e Shtëpisë së Kulturës, për t’u informuar për detajet e punësimit në Gjermani, raporton KTV.
Personi që është prezantuar para të interesuarve, ka thënë se është pronar i kompanisë “BSB Aviation” dhe ka prezantuar mundësitë e punësimit.
Sidoqoftë, në faqen e kësaj kompanie të hapur së fundi në Facebook, nuk ka të dhëna për uebfaqe zyrtare, e as detaje të tjera.
Po vende pune, në Prizren janë ofruar edhe në Panairin e Punës, organizuar nga Komuna e Prizrenit, Ministria e Punës, APK e GIZ me afër 50 biznese dhe organizata që kanë ofruar 700 vende të reja të punës.
Por, këtu interesimi ka qenë tejet i vogël.
Përqindja e të papunëve në Kosovë vazhdon të jetë më e larta në rajon. E, e lartë vazhdon të jetë edhe pakënaqësia e një numri të madh qytetarësh që aktualisht punojnë.