Zyra e Rregullatorit për Energji ka marrë vendim që prej 1 nëntorit konsumatorët industrial, komercial dhe ndriçimi publik t’u zbritet çmimi i energjisë për 5 për qind, ndërsa për konsumatorët shtëpiakë, çmimi mbetet i njëjtë.
Këto tarifa sipas ZRRE-së, janë rezultat i të Hyrave të Lejuara Maksimale (HLM) të aprovuara për operatorët e Transmetimit/Tregut (KOSTT), Shpërndarjes (KEDS) dhe Operatorin e Furnizimit të Shërbimit Universal (KESCO) si dhe reflektojnë koston e shërbimit të ofruar për grupet përkatëse tarifore.
“Tarifat e vendosura do të aplikohen sipas Strukturës tarifore të vendosur në mars të vitit 2017, sipas të cilës tek të gjithë konsumatorët fundorë aplikohen vetëm tarifat ditore – tarifa e lartë dhe e ulët (ditë- natë)”, thuhet në njoftim.
“Kjo Strukturë tarifore ka për qëllim nxitjen e konsumatorëve për të zhvendosur një pjesë të konsumit nga koha e pikut (ditën) në kohën jashtë pikut (natën) kur ngarkesa në sistem është më e ulët. Nga 1 tetori deri me 31 mars, tarifa e lartë do të aplikohet prej orës 07:00h – 22:00h dhe tarifa e ulët do të aplikohet prej orës 22:00h – 07:00h. Përderisa nga 1 prill deri me 30 shtator tarifa e lartë do të aplikohet prej orës 08:00h – 23:00h, ndërsa tarifa e ulët do të aplikohet prej orës 23:00h – 08:00h”, thuhet më tej.
Gjithashtu në këtë mbledhje Bordi ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet e Rregullave të Tregut, amendamentimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut, amendamentimin e Marrëveshjes për Furnizim me Ngrohje e lidhur në mes të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe “Termokos” dhe ka shqyrtuar një numër të ankesave të konsumatorëve si dhe çështje të tjera të menaxhimit të Zyres së Rregullatorit për Energji.