Arbëri

LDK-ja synon t’ia ndalojë Thaçit bisedimet për territorin, PDK-ja thërret për unitet

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme të mërkurën, me kërkesë të LDK-së, përmes së cilës synohet vendosja e vijave të kuqe Presidentit Hashim Thaçi që në dialog të mos flasë për territorin.

LDK-ja iu ka bërë thirrje të gjitha partive t’i bashkohen këtij debati e të mos e sabotojnë atë, raporton KTV.

Por, Nisma ende nuk ka vendosur se si do të veprojë të mërkurën.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e ka përsëritur thirrjen për unitet, i bindur se bashkimi rreth dialogut do të ndodhë.

Veseli ka thënë se nuk duhet që ndarjet e brendshme të Kosovës t’i kontribuojnë Vuçiqit e Serbisë.

Ai ka thënë se, mbi interesat partiake, duhet të jetë interesi i shtetit.

Veseli iu ka propozuar partive politike që të ulen bashkërisht për ta harmonizuar tekstin e rezolutës për këtë temë.