Arbëri

Mustafa: Dialogu të zhvillohet për çështje të interesit të përbashkët dhe të përfundojë me njohje

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se sot në Kryesi kanë biseduar për disa çështje të rëndësishme.

“Kemi trajtuar tekstin e platformës. Ne konsiderojmë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të zhvillohet për çështje të interesit të përbashkët, dialog të dy shteteve e jo si dialog mes Prishtinës e Beogradit. Duhet të përfundojë me njohje. Dialogu i deritashëm, do të kërkojmë edhe nga Komisioni Evropian që të jetë dialog mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Dialogu nuk duhet ta va në pikëpyetje shtetësinë. Dialogun duhet ta vazhdojmë brenda kornizës kushtetuese”, ka thënë Mustafa, raporton KTV.

Ka thënë gjithashtu se e vlerësojnë lartë rolin e BE-së në këtë proces, por kërkojnë që edhe BE edhe SHBA të jenë të kyçura edhe në implementimin e marrëveshjeve.

“Kjo marrëveshje duhet të punojë që asnjëra palë të mos e pengojë tjetrën në rrugën evropiane. Ne vlerësojmë se dialogun mund ta vazhdojë një Qeveri e shumicës. LDK vazhdon të qëndrojë pranë bindjes se institucionet e tanishme nuk mund ta bartin këtë proces as qeveria e as presidenti. Qeveria nuk e ka shumicën derisa presidenti nuk ka legjitimitetin. Si LDK do të jemi të gatshëm vetëm kur të legjitimohen institucionet përmes votës, zgjedhje duhet të ketë sa më parë. Ndryshimi i kufijve nuk vjen fare në shprehje e as pushteti i tretë”, tha ai.

“Ne diskutuam edhe lidhur me çështjet aktuale. Mendojmë se janë pjekur kushtet që qeveria të jap dorëheqje e kuvendi të shpërbëhet. Një Qeveri e cila merret veç me shpenzim të buxhetit nuk e meritojnë qytetarët. Më mirë të mos e presim mocionin por në të mirë të qytetarëve të japin dorëheqje”, tha tutje.

Mustafa gjithashtu tha se e ka të relativizuar këtë nocionin e ekipit të unitetit.

“Këto çështje duhet t’i kryej Qeveria e Kosovës, por një Qeveri e shumicës. Nuk kemi pasur presion të bëheni pjesë e ekipit. Ata që po e drejtojnë Kosovën janë pakicë e ne nuk mund ta plotësojmë vakumin e pakicës”, tha Mustafa.

Mocionin, tha Mustafa, do ta vazhdojnë, por nuk do të shkojnë në mocion pa i siguruar votat.

“Të sigurojmë jo veç 61 nënshkrime por 61 vota”, tha ai.