Shefi i NATO-s në Serbi thotë se çështja e Ushtrisë së Kosovës do të diskutohet në Aleancë Foto: MeD/Serbi

Shefi i NATO-s në Serbi thotë se çështja e Ushtrisë së Kosovës do të diskutohet në Aleancë

27 October 2018 11:54

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Serbi, Cesare Marinelli, ka thënë se forcat e KFOR-it nuk do të largohen nga Kosova, e as do të pakësohet numri i tyre.

Marinelli, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, edicioni në gjuhën serbe, ka përsëritur qëndrimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, qëndrim në të cilin edhe vet ai beson fuqishëm, se KFOR-i është shumë i vlerësuar, siç është edhe roli i tij në Kosovë.

“Më duhet të theksoj atë që Sekretari i Përgjithshëm e ka thënë, e në të cilën unë besoj fuqishëm, se KFOR-i nuk do të zvogëlojë prezencën. KFOR-i është shumë mirë i themeluar. Rëndësia e KFOR-it vlerësohet lart nga ana e NATO-s. KFOR-i nuk ka ndonjë të ardhme tjetër, përveçse të mbetet aty ku është”, ka thënë Marinelli, transmeton Koha.net.

Gjeneral brigade Marineli, ka thënë se NATO-ja mbështet dialogun Kosovë-Serbi, sikurse edhe të gjitha përpjekjet që do të çojnë në zvogëlim të tensioneve dhe në zgjidhje të mosmarrëveshjeve.

Kuvendi i Kosovës, ditë më parë ka miratuar amendamentet që do të mundësojnë transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës. Marinelli ka thënë se për këtë temë do të diskutohet në Aleancë.

“Kur flasim për Forcat e Sigurisë së Kosovës, ato i njohim në mandatin aktual. Nëse vjen deri tek ndonjë ndryshim, për këtë duhet diskutuar në nivelin e Këshillit të Atlantikut të Veriut”, ka thënë Marinelli.

Ai ka shtuar se nuk mund të spekulojë se kur do të ndodhë transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës, sepse, sipas tij, “kjo është një çështje shumë e rëndë politike”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme