ORCA: UP-ja ka shpenzuar mbi 2 milionë euro mbi normat e stafit akademik Foto: Koha

ORCA: UP-ja ka shpenzuar mbi 2 milionë euro mbi normat e stafit akademik

24 October 2018 16:56

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka prezantuar analizën e menaxhimit të financave për pagat e stafit akademik në Universitetin e Prishtinës.

Sipas analizës, gjatë vitit akademik 2017/2018 UP ka shpenzuar 2.333.060 euro për mbi norma të stafit ekzistues akademik. Ndërsa për të njëjtin vit akademik për bashkëpunëtorë të jashtëm ka shpenzuar 1.036.265 euro, raporton Koha Ditore.

“Në total del se UP-ja gjatë vitit akademik ka shpenzuar 3.368.325 euro për mbi normë dhe bashkëpunëtorë të jashtëm. Shpenzimet më të mëdha të mbi normave brenda vitit akademik 2017/2018 i ka bërë Fakulteti i Mjekësisë me rreth 623 mije euro i pasuar nga departamenti i Arteve Muzikore në kuadër të Fakultetit të Arteve me rreth 293 mijë euro ndërkohë që i gjithë Fakulteti i Arteve kap shumën prej rreth 456 mijë euro”, thekson analiza.

Autori i Analizës, Rron Gjinovci ka thënë se Kosova prej pasluftës për shkak të keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit ka humbur mundësinë që të ketë një universitet më kualitativ se sa e ka tash.

"Kjo nuk është përgjegjësi e menaxhmetit aktual por është e trashëguar, por edhe menaxhemti aktual ka bërë pak ose gati asgjë për ta ndryshuar këtë", ka thënë ai.

E ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi është shprehur se këto gjetjen duhet të shërbejnë si mundësi për ta ndryshuar gjendjen në këtë universitet.

"Jemi në një periudhë kur gjërat duhet të ndryshojnë në të gjitha institucionet. Të gjithë kanë obligim të gjejnë alternativë në të mirë të Universitetit. Në kemi shprehur si Ministri mundësinë për ta mbështetur Universitetin e Prishtinës", ka theksuar Bytyqi. / E.K

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme