Haradinaj - Thaçit: Nëse mendon dikush që mund të më disiplinoj me një karrige, gabim e ka

23 tetor 2018 20:18
21:05

Kryeministri Ramush Haradinaj i është përgjigjur deklaratave të presidentit Hashim Thaci se ai duhet të tregohet më i mençur dhe jo komod në pozitën që e ka.

Haradinaj ka thënë se gabon kushdo që mendon se mund ta disiplinoj atë me pushtet.

“Unë ky jam, edhe i hequr edhe në detyrë, nuk ndërroj. Ne e kemi dhënë një jetë për ato që kemi besu, nëse dikush mendon që mundet me më disiplinu me një karrige, gabim e ka, kushdo qoftë”, ka thënë ai.

“Unë asnjëherë nuk kam bërë një dakordim që Kosova e Serbia të njihen reciprokisht përmes territoreve apo kufijve, kjo le të harrohet, nga çdokush”, ka thënë Haradinaj.

20:54

Haradinaj: Le ta harrojnë idenë se njohja nga Serbia vjen me shkëmbime territoresh

“Nuk është rruga deri të zgjidhja, por te telashet tjera”, ka thënë kryeministri Haradinaj për idenë e korrigjimit të kufijve të shpalosur tashmë nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Kryeministri Haradinaj në Rubikon të KTV-së ka përsëritur se kjo ide është gabim dhe është kategorikisht kundër.

“Mendoj se kjo është kuptuar nga vendimmarrësit që nuk ka terren për një opsion të këtillë dhe ajo që kishte thënë presidenti që kush ka alternativë, unë jam i gatshëm. Mendoj që alternativa ekziston dhe ajo është që me jetu në paqe të dy popujt, po jo me e hap Kosova vetveten sepse kjo nuk është paqe, kjo është destabilizim”, ka thënë Haradinaj.

“Ka alternativë, konsolidimi i vetvetes, me jetu në paqe me ta, ndoshta kjo nuk i kënaq apetitet e Beogradit zyrtar por as ata nuk po i kënaqin apetitet tona. Duhet mu ndalë diku, mendoj se respektimi në këta kufij, në këtë territor dhe njohja është alternativa, kjo është sepse na tash nuk mund të shpikim alternativa”, ka shtuar ai.

“Ka vdekur si opsion. Askush nuk është i gatshëm të hyjë në eksperimente të tilla. Nuk besoj se do të pranonte dikush të luante me ato veprime në aspektin global”, ka thënë Haradinaj.

20:18

Qeveria ideale, sipas Haradinajt, duhet t’i kishte 15 deri 18 ministri

Kryeministri Ramush Haradinaj në Rubikon të KTV-së ka dhënë propozimin e tij për një kufizim siç tha ai të qeverisë së Kosovës të përmbledhur në ligj. Sipas tij, vetëm atëherë do të dihej se kush e ka shkelur apo jo ligjin.

Qeveria ideale, sipas Haradinajt, do të ishte me 15-18 ministri, tre zëvendëskryeministra dhe zëvendësministra të cilët do të kishin punë konkrete brenda ministrisë përkatëse.

“Jam i interesuar që të kemi ligj për qeverinë, jo në dëm se qeveria është megjithatë edhe vendimmarrje politike dhe jo në dëm të partive politike, të hapësirës por megjithatë ta kornizojmë“, ka thënë shefi i qeverisë.

“Një qeveri e Kosovës mundet që mes 15 e 18 ministri m’i kry punët e veta. Për shembull mund të kemi tre zëvendëskryeministra, një e lë për përfaqësim të komuniteteve, një për përgjegjësi të caktuara politike, një konkret, shembull për tema të ekonomisë apo ku ta di unë. Njëjtë si zëvendëskryeministrat, çdo ministri mund t’i ketë zëvendësministrat me dedikim”, shpjegoi Haradinaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme