Austria dëshiron që liberalizimi i vizave për kosovarët të ndodhë deri në fund të vitit Foto: Presidenca Shqiptare

Austria dëshiron që liberalizimi i vizave për kosovarët të ndodhë deri në fund të vitit

23 October 2018 16:40

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka nisur një vizitë zyrtare në Republikës e Austrisë, me ftesë të homologut të tij austriak, Alexander Van der Bellen.

Presidenti austriak, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin Meta, është deklaruar pro heqjes së shpejtë të regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kreu i shtetit austriak tha po ashtu se do të ishte mirë që liberalizimi i vizave të ndodhë gjatë presidencës së Austrisë me BE-në, raporton gazeta serbe “Blic”.

“Nëse nuk ndodh liberalizmi i vizave, atëherë kjo do të nxis pakënaqësi të madhe”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Van der Bellen ka kujtuar se si gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, të gjithë qytetarët kanë mundur të udhëtojnë pa viza, ndërsa të vetmit që nuk mund të udhëtojnë pa viza janë qytetarët e Kosovës.

“Nuk po flasim për të drejtën për zhvendosje apo të ngjashme, por që me liberalizim vizash mund të udhëtojnë për tre muaj”, sqaroi ai.

E presidenti shqiptar, Ilir Meta, kërkoi afrim të shpejtë të shteteve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, duke vlerësuar se me këtë Ballkani do të fitonte paqe.

“Një rajon më pranë NATO-s dhe BE-së garanton më shumë siguri, paqe dhe stabilitet për Ballkanin, Evropën dhe Aleancën Trans-Atlantike. Me këtë optikë e shikojmë dhe mundësinë dhe kemi dëshirë, që qytetarët e Kosovës të përftojnë lëvizjen pa viza drejt BE-së, brenda Presidencës Austriake, duke shënuar fundin e izolimit të tyre të pamerituar, pasi siç ka deklaruar edhe Komisioneri përgjegjës Avramopulos në Tiranë, Kosova, prej kohësh i ka realizuar të gjitha standardet e kërkuara”, theksoi Meta.

Shefi i shtetit austriak tha se mbështet afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe theksoi se është një nga prioritetet e presidencës së Unionit.

Va nder Bellen shfaqi shpresën se bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë do të mund të fillojnë nga qershori i vitit të ardhshëm, duke shtuar se Austria do të bëjë gjithçka është e mundur që të arrihet kjo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme