Havolli thotë se deri në fund të vitit do ta bëjnë kontrollin e pasurisë së zyrtarëve

Havolli thotë se deri në fund të vitit do ta bëjnë kontrollin e pasurisë së zyrtarëve

19 October 2018 17:41

Shaip Havolli nga Agjencia Kundër Korrupsionit, ka folur për luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Ai në Express Intervistën në KTV, ka folur fillimisht mbi vendimet që u morën në Samitin e Triestes. Ka thënë se duhet të ketë më shumë tranparencë me organizatat civile, për sa i përket luftimit të korrupsionit.

Drejtori i AKK-së, tha se tani është duke u bërë kontrolli i zyrtarëve të lartë shtetërorë për deklarim të pasurisë. “Tani jemi në fazën përfundimtare dhe deri në fund të vitit do bëhet kontrollimi i tërë zyrtarëve të lartë”, tha ai.

“Mesatarisht brenda një viti kontrollojmë 1 mijë zyrtarë. Një numër i madh që janë penalizuar për mosdeklarim dhe deklarim të rremë, i kemi dërguar në prokurorinë përkatëse”, tha ai.

Shumicën e rasteve, ai tha se Prokuroria ka nisë hetimet, e disa raste tani janë në aktakuzë.

Për sa i përket deklarimit të pasurisë, nga zyrtarë të shtetit, Havolli tha se deklarimet nga ana e tyre nuk janë gjithnjë reale. “Megjithatë është bazë e mirë për të nisur hetimet”, tha ai.

Ai tha se me ligjin e ri, pritet të ketë edhe shkallshmëri, që mund të gjobiten edhe zyrtarët e lartë.

Havolli tha se ndryshimi i Ligjit për Deklarimin e Pasurisë me të cilin, sipas tij, zyrtarëve që e kanë për obligim ta deklarojnë pasurinë do t’u bëhet e mundur t’i mbajnë të fshehta për publikun paratë e gatshme dhe ato të deponuara.

“Me ligjin e ri jemi duke e bërë draftin që paratë e gatshme ose të deponuara mos të jenë të qasshme për publikun por për agjencinë”, tha Havolli.

Havolli tregoi se në Samitin që është mbajtur më parë, është marrë vendim që vendet e rajonit të shkëmbejnë sa më shumë informacione mes vete, pra në fushën e korrupsionit.

Ligji mbi kompetencat për sekuestrim, nuk i ka dhënë efektet e mjaftueshme prandaj është dhënë urdhër të ndryshohet ky ligj, tha ai, duke potencuar se është kërkuar të ketë avancim të ligjit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme