Arbëri

Bislimi: Protesta e së shtunës, më e madhja ndonjëherë në Kosovë

Besnik Bislimi i Vetëvendosjes, ka thënë se gjithçka ka shkuar mirë në protestën e së shtunës.

Nënkryetari i VV-së, në Interaktiv të KTV-së, tha se qytetarët treguan se nuk dëshirojnë që të ketë ndryshime të kufijve.

“Protesta s’ka qenë e VV-së, ka qenë mbarëpopullore, e të gjithëve. VV ka qenë vetëm organizatore. Në këtë protestë ka rënë në sy pjesëmarrja e grave, e familjeve, e fëmijëve, e mërgatës, të shoqërisë civile, botës akademike. Kjo tregon se protesta ka qenë gjithëpopullore”, theksoi ai.

Sikurse kreu i VV-së, Albin Kurti, as Bislimi nuk pati shifra të pjesëmarrjes në protestën e së shtunës, ndonëse tha se numri ka qenë shumë i madh e madje tha se është protesta më e madhe që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë, madje edhe më e madhe se e 9 janarit të vitit 2015, kur opozita e atëhershme përbëhej nga VV, AAK dhe Nisma.

“Për këto negociata që Thaçi i bën i mungon platforma, ekipi, e tash u dëshmua se i mungon edhe populli. Çdo vendim që nxjerr ai nuk ka mbështetje as te subjekti i tij politik. Thaçi ka subjektin e tij politik, e madje e ka vënë në siklet edhe vetë PDK-në që s’po mund të dalin ta kundërshtojnë atë”, shtoi Bislimi.

Thaçi, sipas tij, me shkuarjen në Ujman të shtunën, në kohën kur po zhvillohej protesta në Prishtinë, tregon se “ai e ka humbur busullën”.

“Protesta s’ka qenë vetëm kundër Thaçit, por ndaj qeverisjes së keqe që po i bëhet Kosovës”, deklaroi nënkryetari i VV-së, duke shtuar se kemi edhe keqqeverisje e edhe president që rrezikon vendin.

Ai tha se përkrahja që i kanë dhënë me fjalë Haradinaj dhe Thaçi protestës, nuk i bënë ata kryeministër e president më të mirë.

Bislimi tha se do të provojnë të shtojnë bashkëpunimin opozitar në Kuvend, por theksoi se protesta do të ketë edhe më tej.