Arbëri

Tahiri i LDK-së kërkon koalicion parazgjedhor me VV-në

Descriptive Text

23:45 - Koalicioni që mund të sjellë ndryshime rrënjësore në Kosovë është ai mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes, sipas Xhafer Tahirit të LDK-së.

Kryetari i Vushtrrisë ka thënë në Interaktiv të KTV-së se dy partitë më të mëdha opozitare duhet të bashkohen në një koalicion parazgjedhor për të fituar zgjedhjet.

“Koalicioni i duhur është ai mes LDK-së dhe VV-së. U bëj thirrje edhe LDK-së edhe VV-së që të afrohen në qëndrime dhe të bëjnë koalicion. Edhe votuesit do të donin një të tillë”, ka thënë ai duke shtuar se një koalicion i tillë parazgjedhor do të dilte i suksesshëm në zgjedhje.


Tahiri thotë se VV-ja po tregon bajraktarizëm me protestën e thirrur

Xhafer Tahiri nga LDK-ja ka thënë se Vetëvendosje po tregon bajraktarizëm me protestën e thirrur për 29 shtator, kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për dialogim të kufijve me Serbinë.

Sipas tij, opozita është dashur të përafrojë qëndrimet më shumë dhe të shfrytëzonte veprimet tjera opozitare para se të dilte në protestë të përbashkët.

“Protesta për të qenë e suksesshme duhet të hiqet dorë nga bajraktarizmi për të organizuar protestë. Mendoj se ka pasur akoma hapësirë për të diskutuar opozita për veprimet opozitare. Të provohet mocioni. Pastaj mund të bëhej protesta. Deri atëherë shoh bajraktarizëm. E përshëndes takimin e liderëve dhe faktin që Isa Mustafa ka tejkaluar vetveten nga “inatet personale” për interes të Kosovës. Do të duhej të punonim ende për të afruar qëndrimet për protestë në mënyrë që të jetë e suksesshme. Nëse ka synim të rrëzohet qeveria s’duhet të përdoret kundër partnerëve opozitare. Kur të dalim të gjitha subjektet opozitare nuk ka më kthim prapa pa pasur zgjedhje. S’duhet t’i shfrytëzojmë institucionet që të hymë e dalim kur na pëlqen apo jo diçka”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Ai e ka quajtur çmenduri politike idenë për të diskutuar për kufij. Ka thënë se është diskutim i pavend dhe tejet i dëmshëm për Kosovën.

“Është dëm i jashtëzakonshëm që po i bëhet të ardhmes së Kosovës. Po t’i thoshim dikujt para 20 vitesh se pas 20 vitesh do të ulej presidenti i Kosovës me presidentin e Serbisë, që është nxënës i Sheshelit, e do të diskutojnë me gërshërë për territorin e Kosovës, askush s’do ta besonte, por ja ku jemi. Kjo është çmenduri politike”, ka shtuar Tahiri.

Sipas tij, pozita nuk i ka numrat në Kuvend dhe kjo nuk i jep legjitimitet koalicionit qeverisës. Si zgjidhje ai ka thënë se vetë pozita duhet t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja për të parë nëse sovrani i përkrah madje edhe në temën e dialogut.