Arbëri

Lojën me kufij Haradinaj e quan eksperiment të rrezikshëm

As kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk e di se kur do të jetë për vizitë në Luginë, raporton KTV.

Por , në atë që është i sigurt është se loja me kufij sipas tij, është eksperiment i rrezikshëm.

Numri një i qeverisë nuk ka dashur të lëshohet në deklarata rreth rezolutës që një ditë më herët liderët e Luginës ia dorëzuan presidentit e që shpejtë pritet të jetë në Kuvend, përmes së cilës kërkojnë mbështetje institucionale për bashkim me Kosovën.

Ai thotë se kur hapen kufijtë, askush nuk e di se kur mbyllen dhe pas çfarë tragjedive e në të mirën e kujt mbyllen ata. Edhe qëndrimi i LDK-së për këtë temë vazhdon të jetë i njëjtë.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se do të ishte kundërkushtetuese që Kuvendit t’i prezantohej një rezolutë e tillë.

Hoti ka treguar se kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka takuar një ditë më herët disa nga përfaqësuesit e Luginës duke ia bërë të qartë qëndrimin e LDK-së. Hoti thotë t’i vjen keq që përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës janë instrumentalizuar nga presidenti Thaçi.