Arbëri

Thaçi kërkon unitet të spektrit politik për dialogun me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ripërsëritur kërkesën për t’u bashkuar i gjithë spektri politik e institucional për të ta përfunduar fazën e fundit të dialogut me Serbinë, e cila thotë se do rezultojë me njohje reciproke nga të dy vendet.

As kësaj radhe, kreu i shtetit nuk është përgjigjur në deklarimet e ngritura se shkëmbimi i territoreve do të jetë në tavolinën e diskutimeve mes dy palëve.

Por, ka thënë se deklarime të tilla po ngritën nga individë vetëm sa për të mbajtur në skenë një agjendë të tillë, sepse marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbisë, sipas tij, do të jetë mes dy vendeve të pavarura.

“Është e vërtetë se jemi dëshmitarë të deklarimeve të ndryshme prej individëve të ndryshëm, prej përgjegjësive të ndryshme anë e kënd Kosovës, disa favor të shkëmbimit, disa në favor të ideve të ndryshme, disa në favor të vazhdimit të një gjendje të tillë çfarë e kemi apo edhe disave që japin deklarata krejt të paqëndrueshme. E theksoj për temat që ju po pyesni më tepër janë duke i kontribuuar mbajtjes në skenë të këtyre agjendave ata që nuk e kanë asnjë argument, ata që me të vërtetë nuk i kryejnë obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore, por pretendojnë që duke mos qenë të aftë t’i kryejnë punët e tyre që u takojnë dhe janë zgjedhur, merren me çështje madhore. Kështu që një justifikim i tillë mendoj që nuk qëndron, secili duhet ta kryej punën e vet, edhe presidenti, edhe Kuvendi, edhe Qeveria”, tha Thaçi, shkruan KsP.

Presidenti i vendit ka ftuar partitë parlamentare që të pajtohen për një proces të tillë, por edhe procese tjera siç janë reforma zgjedhore e cila duhet të punohet paralelisht.

“Ftesa ime për partitë politike, për institucionet shtetërore mendoj që do të ishte që të pajtohemi për një pako të sinkronizuar të interesit shtetëror në agjendë dhe kohë. Duke përfshirë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, arritjen e marrëveshjes, votimin marrëveshjes në Kuvend, zbatimin e kësaj marrëveshje, paralel vazhdimin e reformës zgjedhore sepse të gjithë kanë fol dhe gjithë kemi folur për këto reforma por askush nuk po merr veprime sepse duhet Kuvendi ta merr autoritetin që i takon dhe partitë politike t’i japin sugjerimet, idetë dhe të shkojmë bashkërisht në Kuvend dhe të votojmë”, tha Thaçi.

Kreu i shtetit është shprehur se Kuvendi do të jetë institucioni i fundit që do t’i jap vulën marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Një mundës e tillë për njohjet që do t’i vije Kosovë në fund të dialogut nuk do t’i ofrohet shpesh Kosovës, apo anëtarësim në Organizata ndërkombëtare, siç është OKB-ja. Prandaj ftesa ime është ejani të gjithë së bashku të dialogojmë, dakordohemi për marrëveshjen, të jetë një proces transparent dhe llogaridhënës, Parlamenti e ka fjalën e fundit, askush nuk mund ta tejkaloj parlamentin dhe sa presim edhe gjashtë vite, apo ndoshta me dekada të punojmë së bashku në mënyrë që në fund Serbia të jetë e detyruar për ta njohur Kosovën, të ndodh njohja formale reciproke, dhe të hiqen barrierat që Kosova të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara”, shtoi ai.

Ndërsa duke folur për Asociacionin, presidenti Thaçi është shprehur i vendosur se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, por do të jetë vetëm në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

“Ky asociacion, e di se Qeveria është duke bërë punë të mirë, do të themelohet sipas Kushtetutës, ligjeve të Kosovës dhe opinionit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Tash, pretendime të ndryshme ne nuk mund t’i frenojmë, por nuk mund të përfshihen ato gjëra që nuk janë në përputhshmëri me ligjet e Kosovës, Kushtetutën, ligjin për vetëqeverisje lokale, gjithashtu edhe opinionit të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ai.

Duke komentuar deklaratat e fundit të opozitarëve se janë duke u koordinuar për të ngritur një mocion mosbesimi kundër Qeverisë dhe shkuarjes në zgjedhje, Thaçi tha se Kosova nuk ka kohë për eksperimente dhe turbulenca politike.

Më shumë se kurrë, sipas tij, Kosovës i duhet uniteti dhe institucionet demokratike, efektive dhe funksionale.

Në këtë konferencë, presidenti i shtetit, foli edhe për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me 22 korrik 2010, duke thënë se ky vendim i dha legalitet ndërkombëtarë pavarësisë së Kosovës.