Arbëri

Thaçi as tregon cili është “kompromisi i dhimbshëm” as nëse ndarja është në agjendë

Marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të jetë e dhimbshme. Këtë deklaratë e ka përsëritur disa herë presidenti i vendit Hashim Thaçi, derisa edhe kësaj radhe, ka refuzuar të tregojë se cili do të jetë ky kompromis i dhimbshëm.

Madje, Thaçi në pyetjen e KTV-së se a rrezikon Kosova të humbasë territor apo do të ketë shkëmbim të territoreve, ai ka evituar të përmendë këtë togfjalësh, duke akuzuar grupin KOHA, siç është shprehur ai, “për deformim deklaratash”.

Megjithatë, ai e vlerëson, siç tha, deklarimin e sinqertë të ambasadorit Delawie dhe se Kosova në asnjë rrethanë nuk guxon ta marrë përgjegjësinë e dështimit të këtij procesi.

Por, më i ashpër sa i përket kësaj teme, është shprehur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai ka ripërsëritur se ndarja e Kosovës është luftë dhe, sipas tij, deklarata e ambasadorit amerikan, Greg Delawie është keqinterpretuar.

Ministri i Jashtëm, Behxhet Pacolli, në Interaktiv, ka thënë se një çështje e tillë edhe mund të jetë ofertë në tavolinë porse sipas tij, nuk ka propozim për ndarje territoresh, e as ndërrim.

Andaj, Pacolli thotë se ka nevojë për paqe dhe do të ndodhë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.