60 MINUTA

Auditorja e Përgjithshme sqaron arsyet e kërkesës për uljen e pagës

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, ka sqaruar në “60 Minuta” të KTV-së, arsyet pse ka kërkuar që t’i ulet paga, me marrjen e detyrës në gusht të këtij viti.

Spanca ka thënë se ka diferencë të madhe të pagave në këtë institucion, dhe se kjo është një prej arsyeve të kësaj kërkese.

“Duke qenë pjesë e këtij institucioni, e kam menduar edhe më herët se paga e Auditorit të Përgjithshëm, në vlerën që ka qenë, është e lartë. Paga e dytë në institucion vjen shumë poshtë dhe më pas vazhdojnë të tjerat. Është një diferencë e madhe në mes të strukturës së pagave në kuadër të institucionit suprem të Auditimit. Edhe baza ligjore në të cilën ka qenë e bazuar më herët paga e auditorit nuk është e përshtatshme pasi 50% të pagës përfshinte vetëm shtesa në pagë, prandaj e kam menduar që ka qenë një rast i mirë për mua pasi edhe Ligji i Pagave për zyrtarët e lartë publik ende nuk është aprovuar dhe kam menduar se është një moment që duhet ta shfrytëzojë”, ka thënë Spanca.