038

Prishtina ndalon subvencionimin e qytetarëve me 50 euro

Komuna e Prishtinës ka ndaluar subvencionimin e qytetarëve të saj me nga 50 dhe 100 euro.

Në mbledhjen e parë të Kuvendit Komunal nën qeverisjen e kryetarit të ri, Përparim Rama, u shfuqizua vendimi që u mor gjatë mandatit të Shpend Ahmetit për rimbursimin e qytetarëve të prekur me COVID-19.

Kjo pikë e rendit të ditës kaloi me 26 vota pro, 18 kundër dhe 1 abstenim.

Shfuqizimi i saj u kërkua nga drejtoresha e Financave, Valbona Makolli.

Kjo u arsyetua edhe nga kryetari i Prishtinës dhe nga pozita duke thënë se pandemia tani është më mirë e menaxhuar se dy vjet më parë.

Rama propozoi të formohet një grup punues që do të vlerësonte se si të ndihmohen qytetarët.

Por kjo u kundërshtua nga asamblistët e VV-së dhe të AAK-së, të cilët kërkuan që të paktën të subvencionohen pensionistët dhe qytetarët që jetojnë me skemë sociale.

Përplasje pozitë- opozitë pati edhe gjatë diskutimit për formimin e Komitetit për komunitete, ku opozita kërkoi të shtyhet kjo pikë e rendit të ditës.

E gjatë votimit për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këtij komuniteti, asamblistët e propozuar nga opozita, Tiera Kasumi-Berisha nga Vetëvendosje dhe Gëzim Mehmeti nga AKR-ja nuk morën votat e mjaftueshme.

Ndërsa anëtaret e propozuar nga pozita, Ermira Nikqi nga LDK-ja dhe Kumrije Shabani nga PDK-ja morën votat e mjaftueshme, duke u zgjedhur anëtaret më të reja të këtij komiteti.

Ndërsa në këtë mbledhje u raportua edhe për rënien e suksesit të nxënësve gjatë gjysmëvjetorit të parë të këtij viti shkollor. Sipas Lulëzim Vrapcit, zyrtar në Drejtorinë e Arsimit, kjo ka ardhur si shkak i pandemisë dhe efekteve që i ka shkaktuar procesit mësimor.

Komuna e Prishtinës do të mbajë edhe një seancë solemne në nderë të Epopesë së UÇK-së.