Shpërndahet materiali zgjedhor për zgjedhjet e nesërme lokale Foto: Koha / ilustrim

Shpërndahet materiali zgjedhor për zgjedhjet e nesërme lokale

21 tetor 2017 19:05

Ora 7 e mëngjesit të së shtunës ka shënuar fillim zyrtar të heshtjes parazgjedhore.

Dy orë më vonë, nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë Kosovë, nën përcjelljen e Policisë, kamionët me materiale zgjedhore janë nisur drejt të gjitha komunave, para se të dielën të shpërndahen nëpër qendra të votimit, raporton KTV.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se më 22 tetor do të ketë ekipe mobile, të cilat do t’ua mundësojnë votimin personave me nevoja të veçanta.

Në zgjedhjet lokale të së dielës të drejtë vote kanë 1 milion e 890 mijë e 952 votues.

899 qendrat e votimit me 2,505 vendvotime do të vëzhgohen nga rreth 33 mijë vëzhgues të akredituar.

Rreth 3 mijë prej tyre do të jenë nga koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”.

Ismet Kryeziu nga ky koalicion, ftoi qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe të mos e bëjnë votën e tyre të pavlefshme.

Pasi lavdëroi organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në vitet e fundit, Kryeziu bëri thirrje te partitë dhe simpatizantët e tyre që ta ruajnë standardin e krijuar.

Derisa prezantoi një përmbledhje nga monitorimi i 1359 aktiviteteve gjatë fushatës, Albert Krasniqi nga po i njëjti koalicion, tha se ajo kaloi e qetë e pa incidente.

Megjithatë, pjesëmarrja e fëmijëve në tubime, shfrytëzimi i resurseve publike dhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes, u përmendën si shqetësuese.

Forcave të rendit, ky koalicion, u ka kërkuar që të ofrojnë siguri dhe mundësi për të votuar lirshëm të gjithë qytetarëve në komunat me shumicë jo-shqiptare.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme