Çaka: Bashkë me Nismën rritet shpresa për një Kaçanik ndryshe

Çaka: Bashkë me Nismën rritet shpresa për një Kaçanik ndryshe

30 shtator 2017 21:37

Ka ardhur koha që Kaçaniku të ketë ndryshim pozitiv dhe ky ndryshim do të vijë përmes kandidatit të Nismës për Kosovën, Agim Çaka.

Kështu është thënë në hapje të fushatës elektorale të Nismës për Kosovën në Kaçanik.

Kandidati i Nisma për kryetar të komunës së Kaçanikut, Agim Çaka premtoi se gjatë mandatit të tij katërvjeçar Kaçaniku do të rizgjohet dhe do t’i kthehet nami, pasi do të punojnë për të mirën e qytetarëve.

“Nisma po rritet e bashkë me Nismën po rritet edhe shpresa për një Kaçanik ndryshe. Qytetarët po pyesin, a është Kaçaniku në hartën e Kosovës, a kujdeset kush për Kaçanikun. Të tjerët thonë po, Kaçaniku është në Kosovë, po kryetar nuk kemi. Një kryetar që e di dhe e do Kaçanikun, një kryetar që menaxhon Kaçanikun, kryetar që bashkëjeton me kaçanikasit, që kujdeset për infrastrukturë e qytetit, parqet, ndriçimin dhe pastërtinë e qytetit”, ka thënë Çaka, raporton KP.

Ai u zotua se gjatë mandatit të tij të qeverisjes së ardhshme do të përkujdeset për ruajtjen dhe zhvillimin e Kaçanikut, pasi që qeverisja e tanishme nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.

“Nga gjashtë auditime të punës së kësaj qeverisjeje pushtetin e kanë vlerësuar kështu: tri me rrezikshmëri të lartë, dy me rrezikshmëri të mesme, një me rrezikshmëri të ulët. Pra, nga gjashtë nota, kanë marrë tre nishe, dy dyshe dhe një tresh. Me këto nota ky kryetar del nëpër debate dhe mundohet t’i bindë qytetarët që është i shkëlqyeshëm. Qysh ka mundësi, tre nishe, dy dyshe dhe një tresh i shkëlqyeshëm? S’ka mundësi”, ka thënë Çaka.

Ai është zotuar se si kryetar i ardhshëm i komunës së Kaçanikut do t’i prijë ndryshimit të madh pozitiv përmes programit të tij qeverisës në të gjitha fushat.

Çaka u zotua se do të ketë depolitizim të arsimit dhe arsim cilësor.

Po ashtu shëndetësia do të jetë një përkujdesje e veçantë gjatë mandatit të tij qeverisës, ku do të ketë veprime të shpejta dhe efikase për ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarët.

Kandidati i Nisma për Kaçanikun premtoi se do të ketë stimulim të fermerëve në bujqësi, ndërsa rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe ekonomisë, rinisë dhe sportit.

“Zhvillimi ekonomik do të jetë shtylla më e rëndësishme e programit tonë qeverisës. Do të sigurojmë infrastrukturë dhe siguri juridike për investitorët dhe donatorët e huaj, me qëllim të investimit në ngritjen e ndërmarrjeve prodhuese me qëllim të zbutjes së numrit te papunësisë dhe duke drejt realizimit të premtimit çdo familje të ketë një të punësuar”, ka thënë Çaka.

Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se me kandidatin e kësaj partie për kryetar të komunës Agim Çaka, Kaçaniku do të marrë frymë ndryshe dhe se nuk do të mashtrojnë qytetarët për të marrë votën e tyre.

“Ne shërbimin për Kaçanikun dhe qytetarin e Kosovës nuk e tregtojmë me votë, por e bëjmë sepse ia kemi borxh këtij shteti. Ky është dallimi ynë. Ne nuk vijmë këtu në emër të premtimit për ta shkëmbyer me një votë. Ne nuk kërkojmë dhe nuk lejojmë që kandidatin tonë ta nxjerrim para qytetarëve të komunës së vet të shkëmbejë votë me premtime dhe me mashtrime. Ne jemi këtu për ta mbështetur këtë ekip dhe për t’u zotuar, sepse me këta do t’i jepet një mundësi qytetit tuaj, një frymë dhe filozofi tjetër”, ka thënë Limaj.

Limaj tha se njerëzit e pashpresë kanë nevojë për mundësi dhe jo për përçarje e mashtrime, pasi Kosova ka nevojë për bashkim dhe frymë pozitive që bashkon njerëzit.

Ai ka ftuar elektoratin që më 22 tetor të dalin dhe të votojnë për ndryshime pozitive në Kaçanik, duke thënë se nuk do të shkojë katër vjet dhe Nisma do të jetë me shumicë kudo në Kosovë.

Me këtë rast janë prezantuar edhe kandidatët e Nisma për asamble komunale të Nismës për Kuvendin Komunal të Kaçanikut, për të cilët u tha se kanë hyrë në këtë garë do të kërkojnë ndryshimin me Nismën për Kaçanikun.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme