Isufaj: Programi i LDK-së për Junikun kultivon frymën Rugoviane

Isufaj: Programi i LDK-së për Junikun kultivon frymën Rugoviane

30 shtator 2017 19:38

Tahir Isufaj, kandidat i LDK-së për kryetar të Junikut, ka thënë të shtunën se me fanatizëm të madh e kultivon çdo herë politikën e kolosit tonë, presidentit historik Ibrahim Rugova, ndërsa sot prezantohet si kandidat për kryetar të Junikut për të bërë komunën me infrastrukturë të zhvilluar, administratë të mirëfilltë, rritje të cilësisë në arsim dhe ngritjen e cilësisë në shërbimet shëndetësore.

“Komunën me qeverisjen aktuale të kapur nga korrupsioni, ne do ta kthejmë në komunë me dinjitet. Për Junikun do të vendosim ne dhe jo dikush nga jashtë, sipas tekeve personale. Komuna do të jetë e hapur për të gjithë dhe jo vetëm për militantët e partisë, të cilët kjo qeverisje i ka pasur si policë në hyrje të komunës”, ka thënë Isufaj.

Ai ka shtuar se Programi i LDK-së reflekton plotësisht nevojat e qytetarëve të Junikut, është program që siguron punë, është në shërbim të të moshuarve, të skamnorëve, të invalidëve të luftës.

“Zhvillimi ekonomik bazohet në mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, të cilat gjenerojnë të ardhura për familjet e tyre. Do t’i përkrahim zejet e vjetra, të cilat përveç që gjenerojnë të ardhura, paraqesin edhe vlerë historike të Junikut”, ka thënë Isufaj.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Junikut ka premtuar edhe investime në turizëm dhe fusha tjera dhe rishikimin e taksave komunale si dhe do të punohet për uljen e tyre. Investimet në bujqësi po ashtu do të kenë vend të rëndësishëm.

Ai ka theksuar se do të punohet edhe në depolitizimin e administratës komunale, duke premtuar se gjatë mandatit të tij qytetarët do të marrin pasaportat, letërnjoftimet dhe patentshoferët në Junik, ndërsa shpenzimet e luksit me dreka e darka që i bën qeverisja aktuale, do të orientohen në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se Isufaj posedon planin për zhvillimin e Junikut gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

“Këtë program duhet ta zhvillojë një ekip yni në krye me kryetarin e komunës dhe asamblistët tanë, të cilët vërtet e meritojnë përkrahjen e qytetarëve të Junikut. Mendoj se Juniku, Deçani dhe komunat tjera në të cilat nuk kemi qeverisur një kohë të gjatë e meritojnë qeverisjen e LDK-së“, ka nënvizuar Mustafa.

Ai tha se ndryshimet u bëjnë mirë qytetarëve dhe komunave, sepse vijnë me ide të reja dhe qeverisje të pakorruptuar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme