OpEd

Loja e rrezikshme e frikësimit

As Koreja Veriore dhe as SHBA-ja nuk e duan luftën. Por siç pati thënë historiani i ndjerë anglez, A. J. P. Taylor, pasi që kishte studiuar tetë luftëra të mëdha që nga fundi i shekullit tetëmbëdhjetë, luftërat shpesh kanë ardhur si rezultat “i frikës, e jo dëshirës për luftë apo pushtim”.

Seul, 14 gusht – Deri më tani, lufta midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe diktatorit verikorean, Kim Jong-un, rreth programit bërthamor të këtij të fundit është luftuar kryesisht me fjalë. Por, me secilin ashpërsim të retorikës rritet rreziku që “llafet – llafet të kthehen në luftë-luftë”, po qe se e parafrazojmë Winston Churchillin.

Gjatë muajit të kaluar, pas testit të dytë ndërkontinental ballistik nga Koreja Veriore, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi unanimisht sanksione të reja dhe më strikte mbi këtë shtet të vogël. Koreja Veriore u kundërpërgjigj me zotimin se “hapat strategjikë të shoqëruar me veprime konkrete do të ndërmerren pa hezitim, me mobilizim të tërë kapaciteteve shtetërore të Koresë Veriore”.

Të nesërmen, Trumpi doli nga skenari, duke siguruar se kërcënimet e reja nga Koreja Veriore do të priten me “zjarr dhe furi, që nuk është parë ndonjëherë në botë”. Koreja Veriore nuk ia vuri veshin, duke u kërcënuar me sulm ne territorin amerikan të Guamit. Trumpi u përgjigj se ushtria amerikane është në gjendje gatishmërie.

Dhe, në të vërtetë, në kohën e kësaj përplasjeje të ashpër me fjalë, raportohet se SHBA-ja është duke përgatitur opsionet ushtarake për ta goditur Korenë Veriore. Për më tepër, sipas një raporti konfidencial të inteligjencës amerikane, Koreja Veriore e ka arritur kapacitetin për prodhimin e kokave bërthamore, të cilat mund t’iu montohen armëve, derisa ka nën posedim të paktën 60 bomba. Kjo lojë e frikësimit midis Kimit dhe Trumpit po hyn në një kthesë të rrezikshme.

As Koreja Veriore dhe as SHBA-ja nuk e duan luftën. Por, siç pati thënë historiani i ndjerë anglez, A. J. P. Taylor, pasi që kishte studiuar tetë luftëra të mëdha që nga fundi i shekullit tetëmbëdhjetë, luftërat shpesh kanë ardhur si rezultat “i frikës, e jo dëshirës për luftë apo pushtim”.

Sipas Taylorit, shumë luftëra evropiane “ishin nisur nga një fuqi e kërcënuar, e cila nuk do të përfitonte asgjë me luftë dhe do të humbiste shumëçka”. Po të ishte gjallë Taylori për ta përjetuar gjendjen aktuale – të karakterizuar me frikë, ai padyshim se do të ndihej i alarmuar. Pyetja që shtrohet tani është: çfarë mund të bëhet për t’iu shmangur një katastrofe?

Sa për fillim, si SHBA-ja ashtu edhe Koreja Veriore duhet të mos e fusin në qorrsokak palën tjetër. Gjatë Krizës me raketat kubaneze më 1962, presidenti amerikan, John F. Kennedy ishte këmbëngulës në qëndrimin e tij se raketat sovjetike nuk do të lejoheshin në Kubë. Por ai nuk insistonte në synimin për një fitore të plotë amerikanë dhe disfatë të plotë sovjetike.

Në vend të kësaj, Kennedy ofroi një marrëveshje që do ta mbronte reputacionin e liderit sovjetik Nikita Krushchev në sytë e zërave radikalë në Kremlin: SHBA-ja do të tërhiqte raketat e veta nga Turqia (që edhe ashtu ishin të tepërta), në shkëmbim të tërheqjes së raketave sovjetike nga Kuba. Ajo qasje pragmatike dhe e guximshme e krijoi hapësirën e nevojshme që dy liderët – të cilët edhe ashtu nuk dëshironin një luftë bërthamore – të zmbrapseshin pa e vënë në rrezik reputacionin e tyre.

Për t’i dhënë përmbyllje paqësore krizës aktuale, Kim do të duhet të zbusë hapat agresivë. Por, për ta bërë atë gjë, administrata Trump duhet ta demonstrojë në mënyrë të qartë se qëllimi i saj nuk është ndërrimi i regjimit, por i politikave – pra denuklearizimi – në Korenë Veriore.

Fatkeqësisht, sinjalet që po vijnë nga SHBA-ja vazhdojnë të jenë të përziera. Derisa komentet e Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, janë fokusuar tek diplomacia, drejtori i CIA-s, Mike Pompeo e ka përmendur ndërrimin e regjimit, derisa Këshilltari amerikan për Siguri Shtetërore, H. R. McMaster e ka ngritur mundësinë e një sulmi parandalues.

Ndonëse është me rëndësi që t’i bëhet presion Kimit për ta kthyer në tavolinën e negociatave, një presion i tillë duhet të ushtrohet me më shumë kujdes. Po qe se duket sikur SHBA-ja po kërkon ndërrim të regjimit apo luftë parandaluese, atëherë Kimi në panik mund të ndërmarrë ndonjë veprim të pamatur. Qëllimi duhet të jetë relativ, e jo absolut, duke e pasur parasysh sigurinë e të dyja palëve.

Për këtë arsye, është e rëndësishme të ruhet kontrolli strikt civil mbi ushtrinë. Lufta e Parë Botërore shpërtheu kryesisht shkaku i militarizimit të procesit politik vendimmarrës. Duke mos larguar nga autopiloti proceset shtetërore të mobilizimit ushtarak, liderët politikë evropianë i dhanë hapësirë një reaksioni zinxhir ndërkombëtar. Posa që të nisë lufta, shumë pak hapësirë mbetet për diplomaci.

Por, duke mos e përfillur fare këtë gjë, këshilltari i Trumpit, Sebastian Gorka, deklaroi pak kohë më parë se “ideja që Sekretari Tillerson do të flasë për çështje ushtarake është thjesht marrëzi”. Përse kryediplomati amerikan të mos ketë ndikim të konsiderueshëm mbi çështjet ushtarake? Po qe se një mendësi e tillë nuk ndryshon së shpejti, atëherë ne mund të futemi sërish në luftë.

Liderët politikë të Koresë Jugore, po ashtu, duhet t’i shmangen përfshirjes në këtë retorikë të ashpër. Pas fundosjes së anijes luftarake Cheonan nga Koreja Veriore më 2010 dhe bombardimit të ishullit Yeonpyeong, ushtria e Koresë Jugore ashpërsoi rregullat e angazhimit ushtarak. Tani, komandantët ushtarakë të Koresë Jugore po paralajmërojnë se po qe se ushtria verikoreane sulmon sërish, atëherë do të përballet me kundërpërgjigje të ashpër. Njëjtë si kërcënimet e Trumpit, kjo politikë synon ta zmbrapsë Korenë Veriore, por ka më shumë gjasa të nxisë eskalimin e shpejtë të konfliktit.

Kina po ashtu ka një rol të rëndësishëm në këtë mes. Më 10 qershor të vitit 1994, në kulmin e krizës së parë bërthamore verikoreane, Kina e pati informuar babanë e Kimit, Kim Jong-ilin se nuk do t’i vërë më veto sanksioneve të OKB-së kundër Koresë Veriore, gjë që e shtyu Kimin plak të zbusë qëndrimin. Kina mund të përdorë edhe sot një taktikë të ngjashme, si deklaron publikisht, përmes mediave shtetërore, se Koreja Veriore nuk duhet të llogarisë në mbështetjen e Kinës në rast të një konflikti ushtarak.

As Trump dhe as Kim nuk duket se janë në pozitë për t’u vënë në krye të një shtensionimi dhe kërkimit të një zgjidhjeje diplomatike. Duke pasur parasysh rrezikun, mbase do të ishte mirë që palët e tjera ta marrin përsipër këtë rol. A do të veprojë Kina si stabilizuese, gjë që pretendon shpesh të jetë? Presidenti Xi Jinping po sprovohet në këtë krizë, po aq sa edhe Trumpi dhe Kimi.


(Autori, ish-ministër i Jashtëm i Republikës së Koresë, është profesor emeritus në Universitetin Shtetëror të Seulit. Vështrimi është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)