Sport

Klopp pranon se mungesa e Coutinhos është “goditje” për klubin

Jurgen Klopp e ka pranuar se mungesa e Philippe Coutinhos në ndeshjen e Liverpoolit në kuadër play-offit të Champions League kundër Hoffenheimit është “goditje” për mundësitë e tyre.

“Reds” kanë thënë se Coutinho ka munguar edhe në ndeshjen hapëse të Premier Leagues kundër Watfordit me një problem në shpinë, por barazimi në “Vicarage Road” erdhi vetëm pak ditë pasi ai paraqiti kërkesën formale për transferim me email.

Liverpooli nuk po dëshiron ta shesë brazilianin, i cili është cak kryesor i Barcelonës, dhe Kloppi ka thënë se “asgjë s’ka ndryshuar në ditët e fundit” teksa po përgatiten të rikthehen në garën më të madhe evropiane për herë të parë që nga sezoni 2014-15.

“Asgjë s’ka ndryshuar as në njërën e as në anën tjetër”, ka thënë Klopp gjatë konferencës për media të hënën në Gjermani.

“Ai nuk është në dispozicion për ne momentalisht. Kjo është çështja kryesore. Ai s’mund të luajë për Liverpoolin në këtë moment. Të gjithë mund ta dinë se kjo është goditje për ne. Duhet të përgatitemi për këtë ndeshje pa të siç na duhet të përgatitemi për të pa Adam Lallanan apo Daniel Sturridgen”, ka thënë Klopp, transmeton Koha.net.

“Vërtet s’e kuptoj interesimin e njerëzve për këtë punë. Por në këtë moment s’mund ta them se jam duke menduar për këtë. Nuk isha në veturë duke menduar se ‘çfarë do t’u them nëse më pyesin për këtë’? Punoj me lojtarët që kam. Nuk mendoj për lojtarët që s’i kam. Mendoj se thash gjithçka që mund të them për këtë çështje”, u shpreh trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp.

Sturridge ka mbetur jashtë si pasojë e vazhdimit të problemeve me lëndime, siç ka mbetur edhe Lallana, dhe që të dy do të mungojnë ndaj Hoffenhaimit, por sulmuesi anglez Sturridge është afër rikthimit.

“Sturridge është duke u rikthyer mirë. Kemi folur sot në mëngjes. Edhe dy seanca dhe ai mund të jetë në dispozicion për fundjavë”, deklaroi Klopp.