Arbëri

Çelaj: Ahmeti na dëshpëroi - PDK do të qeverisë me Prishtinën

Lirak Çelaj, kryeasamblist i PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka treguar pse partia e tij e ka përkrahur Shpend Ahmetin në zgjedhjet e fundit lokale.

“E kemi përkrahur Ahmetin sepse kemi menduar se një njeri i ri do të jetë më i dobishëm për Prishtinën, por u dëshmua se nuk ka bërë asgjë. Projekti për nxjerrjen e dokumenteve është projekt i MPB-së, dhe funksionon në tërë komunat e Kosovës”, theksoi ai.

“Por edhe nëse ia pranojmë këtë sukses si të vetin, është suksesi i vetëm i kësaj qeverisje”, deklaroi Çelaj.

Ai tha se edhe prurja e autobusëve të rinj të “Trafikut Urban” nuk e kanë zgjidhur problemin e transportit publik në kryeqytet.

“Autobusët nuk e kanë zgjidhur problemin e “Trafikut Urban”. Nuk ka orar të autobusëve, nuk ka hartë të itinerarit, nuk është krijuar shiriti i veçantë për autobusë... Kjo është sikur të blinim një tren e të thoshim se tash na kanë mbetur vetëm t’i shtojmë edhe shinat”, tha Çelaj.

Ai tha se edhe çështja e lëshimit të lejeve të ndërtimit është e dyshimtë “pasi dyshohet se ato janë shfrytëzuar për financim të partisë”, duke mos pranuar ta elaborojë më shumë.

Çelaj u shpreh i bindur se Ahmeti nuk do të qeveris më me kryeqytetin.

“Nuk e konsideroj garë të lehtë, por jo gjithmonë njerëzit që s’kanë punuar nuk votohen”, tha ai, duke u shprehur i bindur se PDK do të udhëheq me Prishtinën në zgjedhjet e ardhshme.