Arbëri

Për bërllokun në Prishtinë askush nuk e merr përgjegjësinë

Përgjegjësinë për keq menaxhimin e mbeturinave në komunës e Prishtinës nuk e pranojnë asnjëri nga institucionet përgjegjëse, edhe pse e pohojnë se gjendja nuk është në nivelin e duhur.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë përgjegjëse për pastrim, “Pastrimi”, Feim Salihu në një prononcim për emisionin “Ekonomia me Erëzën” në KTV, thotë se kanë kapacitet edhe për një Prishtinë tjetër, por për gjendjen aktuale fajet i ka komuna.

“Ne heqim mbeturina çdo ditë, por imazhin e qytetit nuk e kemi të mirë. Kemi mbeturina jashtë kontejnerëve, të cilat nuk janë punë të kompanisë. Nuk e kemi pasur një përkrahje të inspeksionit dhe policisë dhe kryesorë për këtë gjendje të mbeturinave është Komuna e Prishtinës”, deklaroi Salihu.

Por, se kjo kompani e kanë një bashkëpunim më shumë se sa e meritojnë e thotë Drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shërbim, Gent Begolli. Ai madje thotë se nuk duhet të fajësohen të tjerët për dështimet e tyre.

“Me aq sa di unë, ata e kanë një bashkëpunim më shumë se sa që e meritojnë me Komunën e Prishtinës, pra drejtoria ime është 24 orë për këto gjëra. Por, disa nga ta kanë probleme politike dhe është shumë e rëndësishme që mos të fajësohen të tjerët për mos suksesin tënd”, ka thënë Begolli për emisionin “Ekonomia me Erëzën”.

Brenda ditës në Prishtinë grumbullohen 200-220 tonë mbeturina.