Nëse mendoni që kapëset e telit vetëm i mbajnë fletët e bashkuara, mendoni sërish – shkruan CNN në një postim në Instagram përmes së cilës tregon punën e fundit të artistit shqiptar Saimir Strati.
“Mozaiku më i madh në botë me kapëse teli – me më shumë se 1.5 milion kapëse, edhe zyrtarisht është rekordi Botëror në Guinness”, shkruan CNN, transmeton Koha.net.
Më tutje thuhet se mozaiku, një portret i Nënë Terezës, është i vendosur në Muzeun Kombëtar në Prishtinë. Artisti shqiptar, Saimir Strati thotë se është inspiruar nga kriza e refugjatëve kur krijoi Nënë Terezën me portretin e saj të buzëqeshur.
“E dija se doja të bëja diçka me tela, kur kam parë në lajme fluksin ditor të refugjatëve. Kam parë aq shumë kapëse teli që përdoreshin për fletëpalosje dhe letra në Samitin e G-20. Por, ato letra ende duhet të sjellin paqe dhe jetë më të mirë në këtë botë”, ka thënë ai.
CNN këtij lajmi ia ka bashkuar edhe tri foto të Stratit gjatë punës në Muzeun Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.