Republikë apo Krahinë Autonome Letrare

Republikë apo Krahinë Autonome Letrare

29 nëntor 2017 12:24

Të njëjtin raft librash, por jo të njëjtat ëndrra

Libraria nuk përfshihet në hapësirat heterotopike. Spitalet dhe anijet, motelet dhe burgjet, muzetë dhe kuplaratë, varrezat dhe saunat nordike, po. Me gjithë përfytyrimet e bukura, libraritë ruajnë ende diçka prej kampeve të shfarosjes.

Lexuesit që vijnë nga përvoja të dhunshme, nga vrasjet, gjaku dhe përdhunimi, e kuptojnë se luftërave një ditë mund t’u vijë fundi, por ato nuk mbarojnë. Nga malet dhe fushat ato zhvendosen. Dhe vendi më i përshtatshëm për vazhdimin e tyre është një librari. Aty luftohet për territor. Të gjallët luftojnë të vdekurit. Libraritë në qytetet e Ballkanit luftojnë për zgjerim të hapësirës jetike letrare. Thënë ndryshe, në libraritë e Ballkanit luftohet për zaptim territoresh kulturore.

Këto mendoja më 23 prill, në Ditën Botërore të Librit, teksa ecja përmes rafteve të njërës prej librarive të mëdha në Tiranë. Pyeta libërshitësin nëse kishte pasur ndonjë interesim të shtuar gjatë asaj dite, mbi titujt e autorëve nga Ballkani botuar së fundmi dhe, a kishte pyetur njeri mbi autorët nga Kosova, publikuar në revistën “Poeteka” të atij muaji? Janë autorë nga rajoni ynë, u përpoqa të qartësoja. Malazez, serbë, maqedonas, boshnjakë, sllovenë, kroatë...Dialogu me libërshitësin mori këtë formë:

Unë: Ku mund t’i gjej të ekspozuar autorët ballkanikë?

Ai: Në ekspoziturën e librit të ri.

Unë: Zakonisht si i ndani? A ka ndonjë kriter dallues? Si e gjen lexuesi letërsinë ballkanike?

Ai: Sipas vendeve dhe sipas gjuhëve? Një raft me letërsi franceze. Një raft letërsi italiane. Ja edhe letërsia angleze aty.

Unë: Po letërsia e rajonit…? Ballkani e kam fjalën. Evropa Juglindore në cilin raft rri?

Ai: Ata…? Ata i kemi bashkuar. I gjen në atë raftin e madh. I kemi vendosur në të njëjtin raft me letërsinë ruse... Ja! Shihi!

Unë: Përse aty?

Ai: (libërshitësi mbledh supet) …letërsi sllave…?! (njëra nga përgjigjet).

U afrova për t’i parë me sytë e mi. Brothers in Arms with Russina Literature. Pjesa më e madhe e librave të autorëve të rajonit tonë ishin futur thellë nën sqetullën e hapësirës heterotopike të stendës së letërsisë ruse në librarinë e kryeqytetit shqiptar. Gjithë sa “Poeteka” kishte botuar nga autorët bashkëkohorë të rajonit ishte ndryrë brenda territorit rus të letërsisë. Aty, futur mes librave të Tolstojit, Korolenkos, Majakovskit, Dostojevskit, Paustovskit, Turgenievit e Pushkinit, si dhe të disa librave të antikuar të autorëve të realizmit socialit sovjetik, mes tyre “Si u kalit çeliku” - i Ostrovskit, “Garda e re” - i Fadajevit apo “Çapajevi” - i Furmanovit, ishin edhe librat e Daša Drndićit, të Luan Starovës, të Eqrem Bashës dhe Ali Podrimes, që kishin nënshkruar Vox clamantis in deserto më 1971.

Aty, në po atë raft me libra, Georgi Gospodinov dhe Jeton Neziraj rrinin pranë e pranë me Shollohovin e Nekrasovin, siç Jurij Hodolin, Adrian Kyçyku, Tomaz Šalamun e Shpëtim Selmani rrinte përbri me Lermontovin, Shçedrinin, Srdjan Valjarevićin, Nikola Madzirovin dhe Ballsor Hoxhën. Pak më tej, Enes Karić, Arben Idrizi, Ognjen Spahić e Qerim Ondozi ishin futur përkrah e përbri librave të Leonovit, Gorkit, Çehovit e Gogolit, për të vijuar më tej me Miljenko Jergović, Alek Popov, Vladimir Arsenijević, Ervina Halili, Edo Popović, Renato Baretić, Emir Imamović Pirke e Drago Janćar, që mbyllte serinë e librave në raftin e madh mbi të cilin lexohej tabela LETËRSI RUSE. Në këtë panoramë të trishtë dikujt i kishte rënë për pjesë të vendosej në qendër, ndërsa të tjerëve në periferi të multiterritorit.

Shkrimtarë të të gjitha vendeve me trashëgimi dhe me të kaluar të përbashkët, “inxhinierë të shpirtrave”, siç i quante Stalini, bashkohuni në hapësirën imagjinare të letërsisë! Perandoria e munguar po rikrijohet në raftet e librarisë.

Përse këta libra nuk janë vendosur te letërsia evropiane? Sllovenët, kroatët, rumunët e bullgarët janë evropianë tani, ndërsa serbët, malazeztë dhe shqiptarët janë kandidatë për në Evropë dhe jo për në BRSS? Pse jo në një raft më vete, si letërsi ballkanike? Jemi ende e njëjta kulturë në përfytyrimin masiv? Kjo ishte domethënia? Ndajmë të njëjtin shtrat, të njëjtat ëndrra, të njëjtën perspektivë?

Atë çast m’u fanepsën në mendje disa vargje në shqip, të cilat nuk do të kisha dashur t’i mbaja mend. Ishin botuar fill pas luftës, në pranverë të vitit ’45, në gazetën “Bashkimi”. Autori ishte ministri i Shtypit, Propagandës dhe Kulturës së asaj kohe, Lame Kodra, që ishte përpjekur të sajonte një vjershë kushtuar kryeqytetit të kryeqyteteve të botës, Kremlinit, Moskës, Romës së Tretë. Kremlini – Lenini – Shkumbini. Këto ishin rimat që të goditnin trurin plot 10 herë. Aty shkruhej: “Si yll’ i Karvanit / Mi botën ri Kremlini / E drita që lëshon / Po vjen gjër te Shkumbini… …Përpëlitet kuçedra me gulçime / Lavdi për jetë paç, o Moska trime”. Ishin vërtet rimat shkaku që vargjet nuk më ishin shqitur nga kujtesa apo ishte mbidoza e propagandës dhe mbivendosjet e realiteteve në atë librari të Tiranës?

Ja ku ishim së bashku sërish. Ndanim të njëjtin raft librash, ndonëse nuk ndajmë si dikur të njëjtën utopi. Ashtu, bashkë, në të njëjtin shtrat gazete kishin qenë edhe në qershor të vitit 1945, kur prindërit tanë lexonin artikujt e Branko Ćopić. Ndanim të njëjtën ardhmëri letrare. Prej andej mbërritën orientimet e letërsisë jugosllave mbi trajtimin e luftës çlirimtare në letërsi. Portretizimi heroik i partizanëve fitimtarë. Domonizimi i armiqve. Figura frymëzuese e pionierit, në kulm të ngrehinës socialiste, ngritur prej të njëjtit themel të përbashkët letrar. Harta është e rëndësishme. Edhe territori letrar. E shkuara përsëritet. Kjo ishte panorama e një librarie në Tiranë, gjatë Ditës Botërore të Librit.

Mst: Letërsi fason – me krah të lirë pune

Letërsia bashkëkohore e fqinjëve ballkanikë njihet pak në Shqipëri. Prej këtij shkaku ajo çmohet pak, për të mos thënë se nënçmohet dhe paragjykohet për vlerat që ka. Por ndërkaq edhe letërsia shqiptare, njëlloj së Shqipëria vetë, mbetet pak e njohur në Evropë. Madje, më fort se kudo tjetër, ajo nuk njihet dhe përurohet pak edhe ndër fqinjët më të afërt kufitarë.

Pak përkthehet. Pak lexohet. Përurohet pak, por keqkuptohet dhe nënvleftësohet shumë. Mosnjohja i ngarkohet mbi shpinë faktorit politik të të dy krahëve, që nuk ofroi spektakël, por jo frymë bashkëpunimi. Ky dështim i ngarkohet edhe faktorit kulturor, institucioneve të shtetit, për urat e brishta që krijoi përmes përkthyesve, botimeve, revistave, apo përmes privatizimit që u bëri iniciativave të skenës alternative kulturore. Dhe, meqë pas gjithçkaje rri gjithmonë një PSE, përgjigjja mund të vijë përmbledhtazi përmes fjalëve se letërsia shqiptare, megjithëse nuk është, bëhet e padukshme. Ajo nuk shfaqet, rri e tërhequr brenda zonës së saj gjuhësore. Madje edhe aty jo gjithmonë duket, pasi në Kosovë mungojnë librat e botuar në Shqipëri, ndërsa në Tiranë mungojnë librat shqip të botuar në Shkup, Tetovë dhe Prishtinë.

Përtej kësaj autorët në Shqipëri, më fort se institucionet, mund të zgjidhin marrëdhënien me dy çështje që do të duhej të ishin kapërcyer me kohë. E para është zgjidhja e nyjës. Miti i nyjës pra, i nyjës që këputet kur nuk zgjidhet. Miti i dytë ka të bëjë me fillin, që humb në labirint, që të ndihmon për të dalë nga lakadredhat pa fund.

E para nënkupton këputjen e nyjës që e mban letërsinë shqiptare të lidhur pas trashëgimisë letrare të së kaluarës së afërt. Kjo, e shoqëruar me përpjekje serioze për gjetjen e fillit të humbur gjithë këto vite në shtratin e realizmit socialist dhe në transicionin, që i ngjan një gjendjeje transi më shumë.

Të dyja këto procese e rrjedha letrare, ndonëse duken si mision i pamundur e jo rrallë edhe pa dobi, gjejnë shpjegim te një mendim i Jorge Luis Borges, kur shkruan se filli mund të ketë humbur, por nuk ka fill të humbur që nuk gjendet, përderisa ekziston qëllimi dhe ngulmi për ta gjetur fillin dhe për ta lidhur me pjesën ku ky fill u këput vite më parë.

Identifikimi me etikën, seriozitetin dhe sidomos me shenjat e me produktin letrar mes viteve ’30-’40 është një mënyrë e gjetjes së fillit të humbur. Njihet tashmë se ndërprerja e rrjedhave të natyrshme kulturore, ndarja nga burimet jo vetëm të kulturës së vjetër të kontinentit, por edhe prej kulturës së re të tij, i solli letërsisë shqipe vonesa të tjera dhe deformime.

Pak shkruhet dhe jo gjithmonë me cilësi, mbi atë se çfarë po ndodh me ish-“Njeriun e ri” në periudhën postotalitare? Çfarë ia mpak atij guximin – frika nga e shkuara apo nga e ardhmja? A mban ai qëndrim kritik vetëm ndaj periudhës së komunizmit apo edhe ndaj formave të tjera të dhunës së tregut, shfaqur në shoqërinë e sotme? Si po mbijeton ky individ në shoqërinë globale, ku britma e religjioneve, britma e tregut dhe britma e mitingjeve autoritariste përplasen brenda kokës së tij?

Trajtime të tilla thuajse nuk janë shfaqur në letërsinë që shkruhet në Shqipëri. Stereotipat dhe klishetë e tematikave të parafabrikuara, nxitur prej asaj që tregu i huaj kërkon prej autorëve shqiptarë në emër të suksesit të përkohshëm, e kanë mbuluar me hi mediatik edhe kur është shfaqur ndonjë vlerë e rrallë.

Duke besuar se po të përdorin thjesht teknika postmoderne të shkrimit, ironizime, paradokse apo paksa humor i zi, por pa ofruar letërsi të mirë, librat e autorëve shqiptarë do të zënë vend më shpejt në raftet e librarive të fqinjëve tanë ballkanikë dhe do ta gjejnë më shpejt lexuesin evropian. Më shpejt ndoshta po, por jo bindshëm.

Jo rrallë këto prirje të tematikës dhe të mjetit letrar i kanë shndërruar në naive edhe sprovat. Ka pasur vërtet kureshtje në disa raste nga lexuesi i huaj, por heshtje nga lexuesi vendas. Kjo ka nxitur dhe ka krijuar klimë të përshtatshme për krijimin e një lloji të veçantë letërsie - “letërsisë fason”, asaj që u krijua me kërkesë të porositësit të huaj, për tregun e tij dhe që u realizua me krahun e lirë të punës sonë letrare mbi tematika stereotipa mbi bunkerë, burrnesha, gjakmarrjesh e të ngujuarish nga Kanuni.

Por duke iu kthyer çështjes së rafteve në librari, që janë si shtretërit ku librat ëndërrojnë lexues, jam kureshtar të di nëse ata pak libra të përkthyer prej letërsisë shqiptare në gjuhët e rajonit janë më vete apo janë futur nën sqetullën e ndonjë letërsie tjetër, funksionojnë si Republikë letrare apo si Krahinë autonome nëpër libraritë e Beogradit, në Sarajevë, në Podgoricë, në Zagreb, në Shkup a në Lubjanë?

(autor është Arian Leka, poet, eseist dhe përkthyes i njohur shqiptar nga Durrësi, është themelues i revistës së njohur dhe klubit kulturor “Poeteka” nga Tirana. Është autor i 15 librave, mes të cilëve dhe “Ndreqje gabimesh“ (2010), “Gjarpri i Shtëpisë“ (2002), “Dora e majtë“ (2015), “Shpina e burrit“ (2004), e të tjera. Ky shkrim është shkruar në kuadër të projektit “Tejkalimi i armiqësisë: ndërrimi i perceptimeve serbo-shqiptare”, i përkrahur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe nga projekti PERFORM, që përkrah zhvillimin e shkencave shoqërore në Ballkanin Perëndimor, realizohet nga qendra “Multimedia” nga Prishtina në bashkëpunim me Institutin për Filozofi dhe Teori Shoqërore nga Beogradi)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme