Disenjatori i famshëm francez, Thierry Mugler, kreacionet dramatike të të cilit janë veshur nga yjet e showbizit si, Madonna, Lady Gaga dhe Cardi B, ka vdekur më 23 janar, në moshën 73-vjeçare.
Ikona e modës vdiq të dielën, derisa lajmi u bë i ditur përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Instagram.
“Shpirti i tij pushoftë në paqe!”, shkruhej në postimin e shoqëruar me një fotografi të zezë.
Ende nuk janë dhënë detaje rreth shkaktarit të vdekjes së disenjatorit.
Mugler, i cili e themeloi brendin e tij në vitin 1973, u bë i famshëm anembanë botës për stilin arkitektonik të veshjeve, të përcaktuara nga supet e gjera dhe beli i ngushtë. Përdorimi i materialeve futuristike si plastikë në veshjet e tij të skalitura po ashtu e karakterizonin stilin e tij.
Gjatë karrierës disadekadëshe, ai la gjurmë në botën e modës duke veshur yje të shumta nëpër gala mbrëmje, ngjarje me qilim të kuq dhe pasarela të ndryshme. Disa prej klienteve të tij të famshme ishin: Diana Ross, Beyonce, Madonna, Lady Gaga, Kim Kardashian, Miley Cyrus, Rita Ora, Dua Lipa dhe të tjerë.
Sfilatat e tij ishin gjithmonë spektakolare dhe asnjëherë nuk mungonin emrat e supermodeleve më në zë si Kate Moss dhe Naomi Campbell.
Koleksioni i vitit 1992, që përfshinte krijime nga veshjet e motoristëve, ishte ai që e zhvendosi emrin e Mugler edhe në një dimension tjetër.
Ai nuk e quante veten disenjator, por regjisor, ku përveç rrobave, Mugler krijoi filma dhe fotografi. Po ashtu shquhej si balerin, akrobat dhe person i pasionuar pas fitnesit, duke theksuar se ai gjithmonë dëshironte ta eksploronte trupin e njeriut si art.