Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Urdhërohet dëshmi lidhur me dokumentet për hetimet Trump – Rusi

Komiteti i Inteligjencës i Dhomës Përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara ka urdhëruar dëshmi për dokumentet e ndërlidhura me një dosje, në të cilën pretendohet se Rusia kishte mbledhur informacione komprometuse për presidentin amerikan, Donald Trump, ka thënë mbrëmë demokrati, Adam Schiff.

Gjatë një interviste për rrjetin MSNBC, ai theksoi se edhe demokratët e tjerë në këtë komitet e kanë kundërshtuar urdhrin për dëshmi, për të cilin ai konsideron se republikanët e kanë bërë në përpjekje për ta diskredituar autorin e dosjes, Christopher Steele, ish-oficer britanik i inteligjencës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Agjencia Associated Press ka raportuar se komiteti ka urdhëruar dëshmi të përfaqësuesve të Departamentit të drejtësisë dhe të agjencisë FBI dhe u ka dhënë atyre afat, që deri më 14 të këtij muaji ta përgatisin një material.

Republikanët thonë se ata dëshirojnë të dinë se si ishte krijuar dosja dhe nëse ajo ishte përpiluar për ta sabotuar Donald Trumpin, gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar.

Komiteti i Inteligjencës i Dhomës Përfaqësuese është njëri prej disa paneleve, që zhvillon hetime lidhur me akuzat për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar dhe për bashkëpunimin e mundshëm të Moskës dhe fushatës së Trump.

Rusia e ka hedhur poshtë përzierjen, ndërsa Trump e ka kundërshtuar çfarëdo bashkëpunimi me Moskën.